Futja e duarve në drejtësi nga ana e Konjufcës, reagojnë Prokuroria Speciale

Prokuroria Speciale e Kosovës kanë reaguar ndaj deklaratës së djeshme të kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, ku thoshte se Kryeprokurori dosjen për veriun e ka në sirtar që nga shtatori i vitit të kaluar por që s’është ndërmarrë asnjë veprim. Nga Prokuroria Speciale kanë thënë se prokurorët kanë ndërmarrë të gjitha veprimet dhe kanë hënë…

Lajme

09/12/2022 16:09

Prokuroria Speciale e Kosovës kanë reaguar ndaj deklaratës së djeshme të kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, ku thoshte se Kryeprokurori dosjen për veriun e ka në sirtar që nga shtatori i vitit të kaluar por që s’është ndërmarrë asnjë veprim.

Nga Prokuroria Speciale kanë thënë se prokurorët kanë ndërmarrë të gjitha veprimet dhe kanë hënë të gjitha autorizimet e nevojshme për policinë që të ndërmarrin të gjitha veprimet hetimore, përfshirë edhe arrestimet sipas urdhër arresteve të lëshuara për të gjithë personat që janë të dyshuar në këto dosje hetimore.

Nga kjo prokurori thonë se detyra e tyre është udhëheqja e hetimeve dhe mbikëqyr punën e policisë gjatë hetimit, derisa në bazë të urdhërave dhe autorizimeve të prokurorisë ndërmerren veprimet e tjera të organeve hetimore të policisë.

Tutje në reagim thonë se Prokuroria Speciale e Kosovës ka trajtuar raste që kanë ndodhur në veri të Kosovës, nga të cilat ka pasur edhe arrestime, aktakuza e shqyrtime gjyqësore dhe disa raste janë edhe raste të shënjestruara nga ekipi që drejton Kryeprokurori.

Reagimi i plotë:

Lidhur me deklarimin e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës z. Glauk Konjufca, të datës 8 dhjetor 2022 në Radiotelevizionin Dukagjini, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), me qëllim të informimit të drejtë e të saktë të opinionit publik e vlerëson të nevojshme të jap sqarimin si më poshtë:

PSRK si autoritetet kompetent për hetimin e veprave penale, në grupin e të cilave bëjnë pjesë edhe vepra penale të cilat janë kryer në pjesën veriore të Kosovës siguron opinionin publik se për këto raste prokurorët kompetent kanë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore siç përcaktohet me legjislacionin në fuqi, duke ju dhënë autorizimet e nevojshme policisë që të ndërmarrin të gjitha veprimet hetimore, përfshirë edhe arrestimet sipas urdhër arresteve të lëshuara për të gjithë personat që janë si të dyshuar në këtë dosje hetimore. Siç përcaktohet me legjislacionin në fuqi prokuroria i udhëheq hetimet dhe mbikëqyrë punën e policisë gjatë hetimit, ndërsa veprimet tjera në bazë të urdhrave dhe autorizimeve të prokurorisë ndërmerren nga organet hetimore të policisë.

PSRK njofton publikun e gjerë, se prokuroria për punën e saj nuk bën deklarata publike për veprimet hetimore që ndërmerr për rastet që ka në hetime, e këtë nuk e ka bërë as kur vet Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës personalisht ka dal në vendin e ngjarjes kur janë sulmuar policia e Kosovës në veri, sepse konsideron se sundimi i rendit dhe ligjit në secilin cep të vendit, është qëllimi i punës së prokurorisë, e jo publikimi i veprimeve hetimore të asnjë rasti hetimor.

Megjithatë për hir të njoftimit të drejtë, PSRK njofton se ka trajtuar shumë raste penale që kanë ndodhur në veri të Kosovës, disa prej të cilave kanë rezultuar me arrestime, aktakuza, dhe shumë prej tyre janë ende në shqyrtime gjyqësore, e disa prej këtyre rasteve janë të shënjestruara nga Ekipi i Përbashkët për Përzgjedhjen dhe Shenjëstrimin e Krimeve te Rënda të cilin e udhëheq Kryeprokurori i PSRK-së.

Në fund, dëshirojmë të theksojmë fuqishëm, se PSRK është tërësisht e angazhuar për të siguruar që të gjitha rastet penale në kompetencë ligjore të prokurorisë, të trajtohen në mënyrë profesionale dhe me efikasitetin më të lartë dhe i fton të gjitha institucionet që të përmbahen nga deklarimet rreth rasteve penale, veçanërisht ato që janë në fazën e hetimeve, sepse deklarime të tilla përveç se dëmtojnë imazhin e prokurorisë në sytë e publikut, por jo vetëm, mund të krijojnë pasiguri për qytetarët dhe inkurajim për të gjithë personat e përfshirë në aktivitete të kundërligjshme kriminale.