Kurti në rolin e analistit: E bën një pyetje që nuk dihet kujt i drejtohet

Kryeministri Albin Kurti ka folur sërish për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë. Por, Kurti edhe një herë i ka ikur përgjigjes konkrete në vendimin e tij për Asociacionin në Kosovë, i cili nga emisarët e huaj për dialogun Kosovë-Serbi është thënë se do të implementohet me planin franko-gjerman të cilin sipas tyre…

Lajme

09/02/2023 10:27

Kryeministri Albin Kurti ka folur sërish për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Por, Kurti edhe një herë i ka ikur përgjigjes konkrete në vendimin e tij për Asociacionin në Kosovë, i cili nga emisarët e huaj për dialogun Kosovë-Serbi është thënë se do të implementohet me planin franko-gjerman të cilin sipas tyre Kurti e ka pranuar, duke dalë kështu në rolin e “analistit politik” për të analizuar kontekstin e popullsisë në Serbi dhe mundësinë e krijimit të Asociacioneve atje, shkruan lajmi.net.

Përmes një statusi në Facebook, Kurti ka pyetur për mundësinë e Asociacioneve të komunave mbi baza etnike në Serbi, pyetje kjo që nuk dihet se kujt i është drejtuar.

Ai ka thënë se në Serbi llogariten zyrtarisht 21 minoritete dhe se 11 komuna në Serbi udhëhiqen nga kryetarë joserb, kështu që Kurti ka pyetur se pse Serbia nuk ua mundëson Asociacionet minoriteteve atje, teksa kërkon një gjë të tillë në Kosovë.

“Minoritete në Serbi zyrtarisht llogariten 21 sosh: kroatët, bunjevcët, bullgarët, boshnjakët, shqiptarët, hungarezët, romët, rumunët, rusinët, sllovakët, ukrainsët, lidhja hebreje, ashkalinjët, vllehët, grekët, egjiptianët, gjermanët, sllovenët, çekët, maqedonët, malazezët. 11 komuna në Serbi udhëhiqen nga kryetarë joserb. Asociacione një-etnike komunash do të mund të formonin hungarezët, boshnjakët, shqiptarët dhe bullgarët. Pse Serbia nuk ua mundëson këtë, përderisa e kërkon një gjë të tillë në Kosovë?”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kujtojmë se Kurti dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje kishin protestuar dhunshëm kundër marrëveshjes së vitit 2013 ku ishte pranuar edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe, ndërkaq së fundmi është raportuar se me planin franko-gjerman që emisarët evropian kanë thënë se është pranuar nga Kosova, parashihet edhe implementimi i marrëveshjeve ndërkombëtare të kaluara, rrjedhimisht edhe krijimi i Asociacionit.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh bashkpartiak i Kurtit, Glauk Konjufca, dje ka deklaruar se do të ishte në gjendje të dilte sërish në protesta kundër themelimit të Asociacionit. /Lajmi.net/