48 orë ndalim policor për Ukë Rugovën
Deputetit Ukë Rugova, pas arrestimit, i është shqiptuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh. Avokati i tij mbrojtës, Bajram Tmava, thotë se Rugova dyshohet për veprën penale krim i organizuar që ndërlidhet edhe me disa vepra tjera penale.

Lajme
Deputetit Ukë Rugova i është shqiptuar masa e arrestit policor prej 48 orësh.
Kjo është procedurë e rregullt në rastet e ngjashme kur prokurori kërkon arrestimin e personit të dyshuar për vepra penale.
Kundër kësaj mase të arrestit mund të ankohet mbrojtja e deputetit Rugova, kërkesë kjo që pastaj shqyrtohet nga gjyqtarët e caktuar për këtë rast.
Avokati mbrojtës, Bajram Tmava, ka konfirmuar për media ndalimin e klientit të tij, Ukë Rugova.
Ai ka thënë për media se në mëngjes është ftuar nga EULEX me kërkesë të Ukë Rugovës për qenë i pranishëm gjatë zbatimit të urdhrit të prokurorit të procedurës paraprake të këtij misioni për bastisje dhe arrestim të Ukë Rugovës.
“Unë në orët e hershme të mëngjesit kam qenë i ftuar nga zyrtarë të EULEX. Më ka ftuar Ukë Rugova, që të jem prezent me rastin e bastisjes që është ndërmarrë me urdhër të Prokurorit të EULEX’it”.
“Bëhet fjalë për veprën penale krim i organizuar që ndërlidhet edhe me disa vepra tjera penale siç është edh e keqpërdorimi i detyrës zyrtare apo i autorizimit”.
“Tash për tash përveç urdhrit për bastisje dhe urdhrit për arrest tjera prova nuk kam. Kështu që për ta informuar opinion pak më gjerësisht lidhur me dyshimin e bazuar nuk jam i përgatitur”.
“Ka edhe urdhër arrest për Ukë Rugova. Bëhet fjalë për krim të organizuar, keqpërdorim të detyrës zyrtare nga Neni 42. Ashtu është cilësuar në kërkesën apo urdhrin për paraburgim të lëshuar nga gjyqtari i procedurës paraprake për bastisje”.
Foto: Petrit Rrahmani, lajmi.net