AAK dhe PDK lidhen në Pejë

AAK dhe PDK bëhen bashkë, me një koalicion në Pejë. Marrëveshja e nënshkruar parasheh që PDK ta mbështesë Ali Berishën në balotazhin 1 dhjetorit, në garën për Kryetar të Pejës, kundër Kandidatit të LDK’së, Gazmend Muhaxheri.

Lajme

12/11/2013 10:08

Kandidati i AAK’së për Kryetar të Pejës, Ali Berisha dhe Anëtari i Kryesisë së PDK’së, Xhavit Haliti kanë nënshkruar sot një marrëveshje koalicioni.

Marrëveshja parasheh që PDK ta mbështesë Berishën në balotazh në garën për kryetar të Pejës ndaj kandidatit të LDK’së, Gazmend Muhaxheri.

Kështu, gara e balotazhit të 1 dhjetorit në Pejë, me numrat që kanë aktualisht AAK dhe PDK, favorizon Ali Berishën.

“Të dashur bashkëqytetarë, në emër të Degës së PDK’së në Pejë sapo nënshkrova koalicion me AAK’në. Jam i bindur se bashkë me AAK’në do të qeverisim në të mirë të të gjithë qytetarëve të Pejës”, ka shkruar Xhavit Haliti, në profilin e tij në Facebook.

Në raundin e parë të zgjedhjeve më 3 nëntor, Gazmend Muhaxheri ka rezultuar më i votuari ndër kandidatët tjerë me 16.608 vota apo 40.85 për qind. Ai është pasuar nga Ali Berisha i LDK’së me 14.683 vota apo 36.12 për qind.

Kandidati i PDK’së për Kryetar të Pejës, Muhamet Halitaj, i cili nuk kishte mundur ta sigurojë balotazhin më 3 nëntor, ka folur dje për një disponim të Degës së PDK’së për ta mbështetur Ali Berishën.

Halitaj, i cili në raundin e parë ka marrë 6.189 vota apo 15,22 për qind kishte thënë dje “Epoka e Re” se ai personalisht e mbështet Ali Berishën.

“Një pjesë e elektoratit është e disponuar për ta mbështetur Ali Berishën. Edhe unë jam i disponuar, por kjo nuk varet shumë prej meje. Mbështetja varet prej Kryesisë, kryetarit të degës dhe elektoratit të PDK’së në Pejë. Çfarëdo vendimi që do të marrë Kryesia e Degës së PDK’së në Pejë, do ta përkrah”, ka thënë Halitaj.