AAK ‘kompenson’ largimin e Ramiz Kelmendit, i bashkohet një afarist tjetër

Pak kohë pasi që pronari i kompanisë ELKOS grup, Ramiz Kelmendi braktisi Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, kësaj të fundit sot iu bashkua një tjetër biznesmen. Pronari i ‘Exclusive group’, që përfshinë edhe rrjetin e hipermarketeve \"Maxi\", Gazmend Abrashi, zyrtarisht u bë pjesë e politikës së Kosovës, duke iu bashkuar AAK-së.

Lajme

11/05/2014 21:49

I pari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se në këtë mënyrë po krijohet një traditë e angazhimit për interesin e vendit.

 Ai vizitoi sot këtë kompani, ku edhe e vlerësoi si kompani shumë të suksesshme, që siç tha ai, ka punësuar me qindra punëtorë. 

“Jemi në një kompani të suksesshme ekonomike që ka punësuar qindra punëtorë, dhe që ka krijuar një emër të mirë jo vetëm në tregun e Kosovës e regjional por edhe më gjerë, po ashtu me rëndësi me u thënë është se, Gazmend Abrashi është djali i Aziz Abrashit, dikur një menaxher dhe udhëheqës i zoti por i cili i mbeti besnik bindjeve të tija edhe të vendit të vet, popullit të vet. U sanksionua nga pushteti i mëhershëm, ju i dini zhvillimet që kanë ndodhur rreth Trepçës, grevën e minatorëve, burgosjet, u burgos pra edhe Azizi, e në këtë mënyrë po krijohet një traditë e angazhimit për interesin e publikut, për interesin e vendit”, ka thënë ai.

Abrashi pronar i ‘Exclusive group’, beson se mund të jap kontributin e tij më shumë për ekonominë e Kosovës, pasi që sipas tij, 25 vite përvojë pune që ka ai në sektorin privat të Kosovës, i ndihmojnë për të vepruar drejt zhvillimit ekonomik të vendit. 

 “Që nga sot do të kyçem në politikë dhe atë si kandidat i Aleancës. Tani kam nevojë të iu tregoj pse, kam mbi 25 vite përvojë punë në sektorin privat të Kosovës, gjatë këtyre viteve kam kaluar neper sfida të shumta dhe ato i kam kaluar me një vendosshmëri dhe kreativitet. Sidoqoftë këto sfida kanë kontribuar në rritjen e përvojës sime për shumë vite me radhë, tani shoh që mund të kontribuoj më shumë për ekonominë e Kosovës”, ka thënë ai. 

Abrashi tha, se bashkë me AAK-në, konceptet e idetë e tij do t’i aplikojë për zhvillimin e Kosovës. (Kosovapress)