Aderimet s’pritet të sjellin ndryshimin e madh

Aderimet e pjesëtarëve të shoqërisë civile në partitë politike, analistët politikë i shohin si përpjekje të pasuksesshme për reformimin e partive. Sipas tyre, aderuesit mund t’u sjellin kualitet subjekteve politike, por jo edhe ndryshime të mëdha.

Lajme

12/05/2014 09:25

Kjo për shkak se, sipas analistëve, ka pak gjasë që ata do të mund t’u imponojnë qëndrimet e tyre subjekteve pjesë e të cilave janë bërën ngase këto nuk do t’u lejojnë hapësirë për të manifestuar njohuritë e tyre, shkruan gazeta “Koha Ditore”.

Sipas analistëve, nëse pjesëtarët e shoqërisë civile kanë kritikuar partinë në qeverisje për keqqeverisje, atëherë çdo ndryshim i këtyre mendimeve nuk është gjë tjetër pos tentim për legjitimim të hapët të keqqeverisjes në vend. Por, ata nuk përjashtojnë mundësinë se aderuesit mund t’u sjellin kualitete të reja partive.

Adem Beha, ligjërues i shkencave politike në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka thënë se njerëzit e shoqërisë civile kanë të drejtë t’i ndërrojnë mendimet rreth kësaj apo asaj partie politike, por kjo kërkon një parakusht.

“Parakushti është që vetë pjesëtarët që aderojnë sikurse edhe vetë subjektet politike fillimisht duhet të kenë mendime, ide, ideologji, në mënyrë që ta dimë se pse ka ndryshuar pozicioni, mendimi, veprimi i të inkuadruarve në këtë apo atë parti politike”, ka thënë ai, shkruan “Koha”.