Akademikët i përgjigjen Hashim Thaçit

ASHAK sqaron se me presion ose pa të, Sinan Hasani dhe Tito janë zgjedhur anëtarë të ASHAK’ut në rrethana të caktuara të kohës, sikundër që Tito është shpallur Doctor Honoris Causa në UP. Dhe secilën zgjedhje, ASHAK e lidh me Rexhep Qosjen.

Lajme

07/02/2014 11:28

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës (ASHAK) ka reaguar ndaj debatit të djeshëm në Kuvendin e Kosovës ku, ndër tjera, u përmend edhe anëtarësimi i Josip Broz Titos, Sinan Hasanit dhe Rrahman Morinës në këtë akademi.

Ndonëse nuk e përmend me emër, ishte Kryeministri Hashim Thaçi ai që dje në debatin për gjendjen në UP në Kuvendin e Kosovës, përmendi anëtarësimin e Josip Broz Titos, Sinan Hasanit dhe Rrahman Morinës në ASHAK.

“Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës sqaron se me presion ose pa të, Sinan Hasani dhe Josip Broz Tito janë zgjedhur anëtarë të ASHAK-ut në rrethana të caktuara të kohës, sikundër që Tito është shpallur doctor honoris causa në Universitetin e Prishtinës. ‘Kjo ka ndodhur dhe ndodhia nuk mund të anulohet”.

“Lidhur me disa zëra akuzues, që u dëgjuan në adresë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës në debatin për UP-në në Kuvendin e Kosovës më 6.02.2014, Shërbimi profesional i ASHAK-ut jep këtë sqarim për opinion:

” Nga dokumentacioni që posedon Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës është e vërtetë se Sinan Hasani dhe Josip Broz Tito janë zgjedhur anëtarë të ASHAK-ut”.

“Sinan Hasani është zgjedhur anëtar korrespondent i Akademisë në vitin 1983 (i rregullt më 1986), me vizën që i ka dhënë atëherë Seksioni i Gjuhës, i Letërsisë dhe i Arteve, me propozimin dhe votimin e Rexhep Qosjes, së bashku me anëtarët e tjerë (Esad Mekuli, Vukashin Filipoviq, Idriz Ajeti dhe Muslim Mulliqi), dhe votimin në Kuvendin e Akademisë”.

“Josip Broz Tito është zgjedhur anëtar nderi i Akademisë më 26. 12. 1979 unanimisht, me aklamacion, madje në mbledhje që është mbajtur në Institutin Albanologjik (drejtor Rexhep Qosja), e ku merrnim pjesë edhe politikanët: Xh. Nimani, M. Bakalli, D. Ristić, M. Zvicer, B. Oruçi, M. Plakiqi, M. Mustafa. Para kësaj, në vitin 1975, Tito është shpallur doktor nderi i Universitetit të Prishtinës”.

“Rrahman Morina nuk është zgjedhur kurrë anëtar i Akademisë dhe nga dokumentacioni shihet se as që ka pasur ndonjëherë propozim për të”, thuhet në reagimin e e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.