Aksident fatal afër Gjakovës

Një person ka vdekur dhe dy të tjerë janë lënduar rëndë në një aksident trafiku sot në rrugën Klinë- Gjakovë. Raportohet se shkaktar ka qenë mospërshtatja e shpejtësisë nga njëri prej automjeteve të përfshirë në aksident.

Lajme

29/01/2014 15:12

Një person ka vdekur dhe dy të tjerë janë lënduar rëndë sot paradite në rrugën Klinë- Gjakovë, në afërsi të fshatit Mrasor, në një aksident trafiku.

Policia e Kosovës raporton se rreth orës 09: 45 min, në rrugën magjistrale Klinë-Gjakovë, saktësisht të “Klysyra” afër fshatit Mrasor, ka ndodhur një aksident i rëndë automobilistik i cili për pasojë ka pasur një pasagjer të vdekur ndërsa dy shoferë kanë pësuar lëndime të rënda trupore të cilët nga kalimtarë të rastit janë bartur për në Emergjencën e Spitalit në Gjakovë.

“Sipas mjekëve të Spitalit, thuhet se viktima ka arritur në spital pa shenja jete, kurse  shoferët pasi janë trajtuar nga mjekët, njëri është dërguar në QKUK në Prishtinë ndërsa tjetri është ndalur në Spitalin e Gjakovës”.

“Sipas hetuesve të aksidenteve të Trafikut Rajonal nga Prizreni, thuhet se shoferi i veturës Opel Astra i cili ne momentet kritike po lëvizte në drejtim të Gjakovës, për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes, ka humbur kontrollin dhe ka kaluar në krahun e kundërt të lëvizjes me ç’rast është goditur nga një automjet Mercedes Sprinter”.

“Të dy automjetet kanë pësuar dëme të mëdha materiale. Për hetimin e rastit, në vendin e ngjarjes ka qenë edhe komandanti i Trafikut Rajonal ndërkaq prokurori i shtetit ka urdhëruar që trupi i pa jetë të dërgohet për autopsi”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.