Alarmi Londinez

Zgjedhjet duhet të jenë të rregullta. Ndryshe, Londra kërcënon Kosovën me rishikim të marrëdhënieve bilaterale. Kjo është porosia për 3 nëntorin. Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff, flet për lajmi.net, një ditë para zgjedhjeve.

Lajme

02/11/2013 07:20

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff, shpreson që zgjedhjet e 3 nëntorit të mos kenë epitete negative, të tilla çfarë i kanë përcjellë zgjedhjet e fundit.

Diplomati britanik, në një intervistë për lajmi.net, thotë se tani Kosova duhet t’ia dëshmojë botës se është në gjendje të bëjë zgjedhje korrekte.

“Pesë vjet e gjysmë pas pavarësisë, Kosova duhet të jetë e aftë që ta bëjë këtë gjë. Kredibiliteti i zgjedhjeve është çelësi kryesor për të nxjerrë liderë lokal legjitimë dhe kjo pastaj forcon kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës”, thotë Cliff.

Mesazht e tij Ambasadorit britanik vijnë një ditë para zgjedhjeve, të cilat e kanë bërë boten demokratike t’i hapë sytë dhe të shikojë mënyrën se si po organizohen ato.

“Ambasada ime në çdo rast të mundshëm tregon besimin tonë për rëndësinë jetike të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Sekretari i Jashtëm Hague, gjithashtu e ka shtruar për diskutim këtë pikë gjatë takimit të tij me presidenten Jahjaga, kur u takuan të hënën në Londër”.

Në rastin e kundërt, Ambasadori Cliff është shumë i drejtpërdrejtë. Kosova rrezikon marrëdhëniet me një shtet mik, nëse zgjedhjet përshkohen me manipulime.

“Nëse ka prova se ka manipulim të gjerë dhe të organizuar të votave në këto zgjedhje nga partitë politike, Mbretëria e Bashkuar sigurisht që do të duhet të mendojë se si  marrëdhëniet tona bilaterale mund të lëvizin përpara”, thotë Ambasadori Cliff, për lajmi.net.

“Unë dhe kolegët e mi të tjerë të Bashkimit Europian do të vazhdojmë të theksojmë se perspektiva për integrime europiane e Kosovës do të vuajë, nëse Kosova nuk do të mund që të mbajë zgjedhje sipas standardeve evropiane”.

Sipas tij, zgjedhjet e së dieles bëhen shumë më të rëndësishme meqë në to, për herë të parë, ato do të mbahen edhe në pjesën veriore të Kosovës.

“Ajo që ka qenë shumë e rëndësishme është që Prishtina dhe posaçërisht Beogradi të inkurajojnë njerëzit në veri të dalin të votojnë sepse është në interes të tyre. Shpresoj që ata të kenë bërë mjaftueshëm këtë gjë”.

“Unë sigurisht që kam dhënë këtë mesazh disa herë gjatë vizitave të mia në Veri, duke përfshirë dhe dje, se bojkoti nuk çon askund.  Ne na duhen figura kredibile dhe përfaqësues legjitimë të komunitetit, në mënyrë që të gjithë ne – Prishtina, Beogradi dhe komuniteti ndërkombëtar- të mund të bashkëpunojmë me ta”, thotë ai.

“Ne jemi duke u bërë thirrje qytetarëve nga të gjitha anët e Kosovës dhe të gjitha komuniteteve që të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike, pra të votojnë dhe të zgjedhin udhëheqësit e tyre komunal për katër vitet e ardhshme, në një mjedis të lirë nga kërëcnimet dhe dhuna”.

Por, puna e Kosovës për zgjedhje nuk duket se do të përfundojë më 3 nëntor, apo me garën për balotazh, në ato komuna ku ka nevojë që të zhvillohet ky proces.

Ambasadori Cliff i fton liderët e Kosovës që, pas zgjedhjeve, të angazhohen në bërjen e reformës zgjedhore, për t’i hapur rrugë mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare vitin e ardhshëm.

“Reforma zgjedhore është pikë kyçe në procesin e MSA’së. Mbretëria e Bashkuar beson se nuk mund të ketë zgjedhje të përgjithshme pa reformë zgjedhore. Ne gjithashtu duhet të mendojmë në mënyrë kritike për afatet kohore- çdo  reformë duhet të votohet në Parlament dhe duhet shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese nëse ka ndonjë rekomandim”.

“Dhe standardet ndërkombëtare e thonë qartë se zgjedhjet e ardhshme nuk mund të mbahen të paktën gjashtë muaj pasi reforma të jetë miratuar, në mënyrë që t’u jepet kohë institucioneve që të përgatiten për zgjedhjet”, thotë Ambasadori Ian Cliff, për lajmi.net.