Albin Kurti i quan të drejta protestat e studentëve
Albin Kurti thotë se protesta që po ndodh tash e katër ditë para Rektoratit të UP’së është e drejtë. Ai është shfajësuar nga fjalët që protesta po iniciohet nga Vetëvendosje, duke pohuar se janë vetë studentët ata që udhëheqin dhe organizojnë.

Lajme
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka hedhur poshtë etiketimet se ai është inicues i protestës kundër Rektorit aktual të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ibrahim Gashit, e cila po mbahet tash e katër ditë para selisë së Rektoratit.
Disa metra më larg rektoratit, pasi nderoi dëshmorin Zahir Pajaziti, Kurti i është përgjigjur pyetjes nëse Vetëvendosje ka dorë në protestë.
Kurti, që para 17 vjetësh kishte drejtuar protestat e studentëve në kërkim të lirimit të hapësirave të uzurpuara universitare për studentët shqiptarë, është shprehur se ndihet fatkeq që nuk ëhstë edhe më tej student.
“Studentët po protestojnë dhe, unë besoj se këtë po e bëjnë me të drejtë. Por, studentët janë ata të cilët edhe organizojnë edhe udhëheqin në këtë protestë”.
“Fatkeqësisht, unë nuk jam student më”, ka thënë Albin Kurti.