Ambasada amerikane për takimin e nesërm: Po organizojmë këtë diskutim për integrimin e Kosovës në strukturat evropiane
Dita e nesërme pritet të jetë e një rëndësie të veçantë, sa i përket çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Pas shumë zhvillimeve, nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është marrë vendim që të zhvillohet një takim ku temë kyçe e këtij takimi do të jetë pikërisht kjo çështje. Lidhur me…

Lajme
Dita e nesërme pritet të jetë e një rëndësie të veçantë, sa i përket çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Pas shumë zhvillimeve, nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është marrë vendim që të zhvillohet një takim ku temë kyçe e këtij takimi do të jetë pikërisht kjo çështje.
Lidhur me këtë në një përgjigje të dhënë për lajmi.net nga Ambasada e Amerikës është theksuar se më 31 janar, Ambasada e ShBA-ve do të organizojë një diskutim për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Tutje është thënë se me këtë rast në këtë takim kanë ftuar zyrtarë qeveritarë, liderë politikë, diplomatë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
“Më 31 janar, Ambasada e SHBA-së do të organizojë një diskutim për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe (ASM) në Kosovë.Ne po ftojmë një grup të ndryshëm liderësh të shoqërisë civile, zyrtarë qeveritarë, liderë politikë dhe diplomatë për të diskutuar këtë temë të rëndësishme”,thuhet në përgjigje.
Gjithashtu është thënë se ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në takimin e fundit që ka patur me kryeministrin Albin Kurti si dhe presidenten e vendit, Vjosa Osmani ka prezantuar idenë e takimit derisa u ka bërë ftesë të dy zyrave të tyre për të marrë pjesë në këtë takim.
“Ambasadori Hovenier prezantoi takimin me Presidenten dhe Kryeministrin dhe u bëri ftesa të dy zyrave të tyre. Anëtarët e stafit të të dy zyrave kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre”,u tha tutje nga Ambasada e Amerikës.
Njashtu u tha se qëllimi është të avancohen mirëkuptimet në lidhje me Asociacionin, në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Qëllimi ynë është të avancojmë mirëkuptimin e ndërsjellë për angazhimin e ASM-së, në mbështetje të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës u tha se po organizojnë këtë diskutim në përputhje të avancimit për integrimin e Kosovës në strukturat evropiane dhe euroatlantike.
“Ne po e organizojmë këtë diskutim në përputhje me qëllimin tonë të qëndrueshëm për të avancuar integrimin e Kosovës në strukturat evropiane dhe euroatlantike dhe si reflektim i miqësisë sonë të gjatë dhe mbështetjes për popullin e Kosovës”, përfundohet tutje në përgjigjet e ambasadës.
Në lidhje me takimin e nesërm, përfaqësuesit e partive opozitare kanë konfirmuar pjesëmarrjen ditë më parë. Njësoj kanë vepruar edhe nga Presidenca dhe Kuvendi i Kosovës.
Por ngjashëm nuk kanë vepruar nga Qeveria e Kosovës. Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka zgjedhur që të mos konfirmojë se kush do të përfaqësojë kryeministrin Albin Kurti në këtë takim, deri pak më parë.
Kryeziu theksoi se në këtë takim ftesë ka marrë shefi i kabinetit të kryeministrit Kurti, Luan Dalipi.
“Në takime, diskutime e ngjarje të ndryshme në të cilat merr pjesë Kryeministri, zakonisht atyre ju paraprijnë edhe ftesa e dedikuar dhe e personalizuar për Kryeministrin. Një ftesë të tillë nuk ka pasur në këtë rast. Për takimin në fjalë, ftesë ka pranuar Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, i cili do të marrë pjesë nesër”,tha Kryeziu.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vazhdimisht ka deklaruar se është kundër nënshkrimit të marrëveshjes së Asociacionit.
Edhe pse nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian është deklaruar se kjo ka të bëjë me një marrëveshje të re evropiane dhe është bërë thirrje për formim të Asociacionit, kryeministri Kurti ka vazhduar me qëndrimin e njëjtë.
E nga opozitarët, shpesh herë këto qëndrime janë parë si “prishje” e marrëdhënieve në mes Kosovës, SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian.
Gjatë ditës së sotme, këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar kanë ritheksuar edhe njëherë domosdoshmërinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Madje Chollet dhe Escobar ndër të tjerash kanë theksuar se zotimi i Kosovës për të krijuar Asociacionin nuk e cenon Kushtetutën e saj, as nuk e kërcënon sovranitetin dhe pavarësinë ose institucionet demokratike të saj.
“Ne e kundërshtojmë rreptësisht krijimin e çfarëdo etniteti që i përngjan Republikës serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë (BH); Bashkësia ndërkombëtare nuk po kërkon të imponojë një zgjidhje. Në vend të kësaj, ne po kërkojmë nga Kosova që ta ofrojë vizionin e saj për këtë Asociacion dhe jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizë dhe mbështetje politike për të siguruar që ajo funksionon në interesin më të mirë të kosovarëve”- kanë thënë ata.
Të njëjtit po ashtu kanë elaboruar se çka mund të jetë dhe çka nuk mund të jetë një Asociacion i komunave me shumicë serbe.
Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është përmendur edhe në propozimin e fundit evropian, një plan disa-pikësh i ofruar nga zyrtarët amerikanë e evropianë për Kosovën dhe Serbinë, edhe pse i njëjti zyrtarisht nuk është bërë publik.
Kurse kryeministri Kurti pati deklaruar se e respekton konfidencialitetin e bisedimeve, kurse për Asociacionin ka shtuar se ka insistime të ndryshme të ndërkombëtarëve për zbatimin e marrëveshjes.
Sipas të parit të Qeverisë së Kosovës, marrëveshja për Asociacionin, sipas draftit fillestar nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës./Lajmi.net/