Ambasadori Malaj nuk e “përfill” vendimin e Hoxhajt

Ambasadori Naim Malaj nuk e ka përfillur vendimin e ministrit Enver Hoxhaj që ai të kthehet në Kosovë dhe të punojë si shërbyes civil, në kuadër të MPJ-së. Edhe MPJ ka konfirmuar se vendimi i muajit mars i Hoxhajt nuk është duke u zbatuar.

Lajme

12/05/2014 21:07

Ministri i Jashtëm në largim, Enver Hoxhaj në muajin mars kishte vendosur që ambasadorin e Kosovës në Zvicër ta kthej; në Prishtinë në kuadër të MPJ-së. Realizimin e detyrave, Naim Malaj duhet ta niste në fillim të muajit maj, e postin do t\’ia caktonte sekretari i MPJ-së, duke e kthyer kështu Malajn në shërbyes civil.

Sipas burimeve të KTV-së brenda Ambasadës së Kosovës në Bernë, Naim Malaj ka refuzuar të kthehet në Prishtinë për të lënë postin e ambasadorit.

“Ministria e Jashtme e Republikës së Kosovës u ka shtyer mandatin ambasadorit të Kosovës në Francë, Muhamedin Kullashi, dhe atij në Zvicër, Naim Malaj, deri në gjetjen e zëvendësimeve të tyre, meqë të dy shtetet janë vende frankofone dhe kërkojnë përgatitje të veçantë të ambasadorëve që duhet të emërohen atje. Vazhdimi i mandatit të ambasadorëve është i rregulluar me ligjet e Republikës së Kosovës dhe është proces normal në çdo shtet demokratik të botës”, thuhet në përgjigjen e MPJ-së dhënë për KTV.