Ancelotti e do La Deciman

Carlo Anceloti ndihet i nderuar që e ka mundësinë ta fitojë titullin e dhjetë të Ligës së Kampionëve me Real Madridin, duke hyrë në histori të klubit. Gjithashtu, trajneri italian e lavdëron edhe kundërshtarin e finales, Atletico Madrid.

Sport

13/05/2014 19:33

Carlo Ancelotti e ka pranuar se e pëlqen idenë që ta fitojë Ligën e Kampionëve historike, të dhjetën me Real Madridin këtë sezon.

Italiani e mori në dorë gjigantin madrilen verën e vitit të kaluar, duke e zëvendësuar Jose Mourinhon, i cili e kishte arritur vetëm gjysmëfinalen, gjatë tri vjetësh qëndrimi në Santiago Bernabeu.

Los Blancos po presin qe 12 vjet për ta fituar këtë eveniment dhe Ancelotti është i vendosur ta shkruajë historinë, duke e rikthyer në Bernabeu këtë trofe më 24 maj.

“Duke e fituar, do të ishte një arritje e madhe për klubin. E pëlqej idenë që ta kem rastin për ta bërë historinë në këtë klub të madh, duke e fituar La Deciman”, deklaroi Ancelotti për të përditshmen spanjolle, AS.

“Liga e Kampionëve më ka dhënë shumë personalitet. Kjo është finalja e shtatë në të cilën kam marrë pjesë dhe e kam fituar atë pesë herë. Mundësia të jem trajner i Realit kur klubi ta fitojë Deciman, është një motiv i madh”.

“Jam me fat, sepse ne jemi jashtëzakonisht të motivuar. Çdonjëri ndihet njëjtë: lojtarët, klubi, tifozët dhe unë. Jemi shumë afër ta bëjmë këtë, por e dimë se nuk do të jetë e lehtë, sepse finalet e Championsit janë gjithmonë të paparashikueshme”, vazhdoi ai.

“Ju nuk luani në finale të Championsit çdo ditë, jo çdo ekip e ka rastin ta bëjë këtë. Ne ndihemi të nderuar, sepse e kemi rastin ta fitojmë La Deciman”, vijoi ai.

Reali do të përballet me rivalin Atletico Madrid në finalen e Lisbonës dhe Ancelotti e pranon se nuk e kishte pritur që ekipi i Diego Simeones do ta kishte një sezon aq të jashtëzakonshëm.

“Do të jetë një finale e hapur. Të dyja ekipet duan t’i shfaqin kualitetet e tyre. Nuk mendoj se Atletico do të jetë në pritje të lojës sonë dhe as ne nuk do ta bëjmë të njëjtën gjë”, shtoi ai.

“Ne do të mundohemi ta shfaqim lojën tonë, gjithashtu edhe Atletico, e cila po e zhvillon një sezon të pabesueshëm. Ata i kanë kthyer të gjithë mbrapshtë. Të dyja ekipet i njohim kualitetet e tjetrit, kështu që do të jetë një ndeshje mjaft interesante”, përfundoi 54 vjeçari.