Armët e Sirisë shkatërrohen në Shqipëri?

Në mesin e shteteve të përfolura, Shqipëria thuhet se pret me padurim pranimin e disa apo të gjithë arsenalit kimik sirian.

Lajme

31/10/2013 11:53

Zyrtarët amerikanë janë duke shqyrtuar gjithnjë e më shumë mundësinë që Shqipëria të pranojë armët kimike siriane për t’i shkatërruar, pas vendimit të Norvegjisë që ta refuzojë këtë detyrë, kanë thënë burime relevante dhe ekspertë të çështjes.

Disa vende tjera- përfshirë Belgjikën- ditëve të fundit nuk kanë përjashtuar mundësinë për një rol të tillë, thanë burimet. Ndërmarrja me sa duket do të përfshijë përdorimin e makinerisë speciale amerikane për të dobësuar ose djegur sasinë e vlerësuar prej 1000 tonëve të gazit sarin dhe atij mustard.

Cili shtet- apo cilat shtete- mund të marrë këtë barrë politike dhe mjedisore “është tërësisht një funksion i parave dhe vullnetit për të marrë pjesë”, tha Paul Walker, Drejtor për Siguri Mjedisore dhe Qëndrueshmëri në Green Cross International.

Washingtoni ka kërkuar nga “shumica, nëse jo të gjithë” aleatët e vet europianë për ta marrë në konsideratë shkatërrimin e armëve të paligjshme siriane, tha ai. Bazuar në diskutimet e tij me zyrtarë të qeverisë së SHBA’ve gjatë javës së kaluar, Walker tha se Shqipëria, Belgjika dhe Franca duken të jenë “opsionet më të mundshme”.

Në intervistat për Global Security Newswire, ekspertë tjerë të çarmatimit dhe zyrtarë kanë përmendur kombinime të ndryshme të shteteve të cilat janë duke u shqyrtuar- disa shtuan Danimarkën dhe Suedinë si mundësi në pritje- por Shqipëria dhe Belgjika në mënyrë të përsëritur dolën si kandidatët më të mundshëm.

Walker e karakterizoi vendimin e Norvegjisë si befasues për shumë zyrtarë amerikanë të përfshirë në bisedime ndërkombëtare. Oslo përmendi shtrëngesat dhe rregulloret shtetërore si pengesa në përfshirjen e tyre.

Zëdhënësit e Departamentit të Shtetit nuk u përgjigjen në kërkesat për të komentuar të mërkurën.

Një ekip inspektorësh ndërkombëtarë që është ende në teren në Siri, deri të hënën ka vizituar 21 vende të deklaruara se përmbajnë armë kimike.

Në mesin e shteteve të përfolura, Shqipëria thuhet se pret me padurim pranimin e disa apo të gjithë arsenalit kimik sirian. Një burim i OKB’së ka thënë se shteti i Europës Jugore mund të jetë ofertuar së pari nga Rusia për ta marrë këtë projekt.

“Shqipëria më është përshkruar si vendi më entuziast’ për të luajtur rol në këtë proces, tha Charles Duelfer, i cili shërbeu në vitet 1990 si Zëvendës kryesues i UNCOM. “Kjo mund të jetë diçka që mund ta rrisë staturën e saj”.

Qeveria në Tiranë mund ta shohë këtë kalendar si të volitshëm; aplikacioni i shtetit ballkanik për anëtarësim në Bashkimin Europian është në pritje që nga viti 2009, vitin që shteti u bë anëtar i NATO’s

“Ata supozohet se do të bëjnë para nga kjo. Dhe kjo do t’i paraqesë ata si qytetarë të mirë ndërkombëtarë”, thotë eksperti Richard Butler.

Ambasada Shqiptare në Washington nuk ishte në gjendje të komentojë të mërkurën për këtë çështje.

Por Walker tha se shteti ballkanik mund të jetë një opsion i mirë por “ekspertiza e ulët teknike dhe e sigurisë” mund të paraqesë problem.

“Mua më duket se një shtet i zhvilluar mirë do të ishte më në rregull”, tha Ëalker duke rekomanduar një vend si Italia, si opsion më të përshtatshëm.

Shkatërrimi i armëve kimike siriane mund të ndahet te dy ose më shumë shtete, sipas burimeve të OKB’së të cilat adresuan këtë çështje në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërive diplomatike. Në ndarjen e punëve, një shtet mund t’i neutralizojë komponentet e gazit sarin duke përdorur hidroliza kimike, përderisa një shtet tjetër mund ta djegë gazin mustard, thonë disa ekspertë të tjerë.

Është e paqartë nëse ligjet mjedisore të Shqipërisë do të jenë më të lejueshme se ato të shteteve të Europës perëndimore. Megjithatë, çdo aluzion se procesi i shkatërrimit do të mund të rezultojë me tym toksik ose kontaminim të ujërave vendorë mund të shkaktojë jo vetëm telashe me shëndetin publik por gjithashtu edhe detyrim politik për Washingtonin dhe aleatët e tij, përderisa ata janë kujdestarë të këtyre përpjekjeve, tha Walker.

(Global Security Newswire)