Arrestohen të dyshuarit për vjedhje

Gjashtë të dyshuarit janë arrestuar përderisa po ktheheshin në Prizren me dy vetura të cilat janë sekuestruar ngase dyshohet se të dyja kanë qenë të përfshira në vjedhje.

Lajme

16/09/2013 14:23

Policia e Kosovës në rajonin e Prizrenit ka njoftuar se rreth orës 04:17 min të mëngjesit të sotëm, Policia  e Prizrenit në bashkë koordinim me Policinë e Nën Stacionit Policor të Sreckës, kanë arritur t’i identifikojnë e më pas t’i arrestojnë gjashtë meshkuj, që të gjithë në cilësi të personave të dyshuar  për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtit në bashkë veprim kanë kryer vjedhje të rëndë në rajonin e Zhupës.

Organi i rendit ka njoftuar se të dyshuarit janë ndaluar tek “Ralini” përderisa po ktheheshin në qytet me dy vetura të cilat janë sekuestruar ngase dyshohet se të dyja kanë qenë të përfshira në vjedhje.

Te të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar një sasi të metalit të bakrit, një pako me pije alkoolike, disa shishe me parfume të ndryshme dhe disa vegla për të cilat dyshohet se i kanë përdorë të dyshuarit për thyerje të objekteve.

Ndaj të gjashtëve është shqiptuar masa e arrestit policor për 48 orët e ardhshme  ndërsa provat materiale dhe shkresat e lëndës do t’i kalojnë prokurorisë për procedurë të mëtejme, thotë Hazir Berisha .