Bayern fajëson Guardiolën

Doktori i Bayern Munichut, Hans-Wihelm Muller Wohlfahrt fajëson trajnerin Pep Guardiola për lëndimin e ri të mesfushorit Thiago Alcantara, që e ka lënë yllin spanjoll pa u paraqitur në Kampionatin botëror.

Sport

16/05/2014 11:10

Një problem i ri për Pep Guardiolën. Trajneri i Bayern Munichut në fundjavën e shkuar festoi titullin e kampionit në Bundesligë, mirëpo menjëherë i ka dalë një telashe e re.

Strategu katalan u kritikua ashpër për stilin e lojës së tij ‘tiki-taka’ që nuk kreu punë në Ligën e Kampionëve dhe Bayern Munich u eliminua në gjysmëfinale nga Real Madrid, me rezultat të përgjithshëm 5:0.

Kurse, tani, doktori i Bayernit, Hans-Wihelm Muller Wohlfahrt ka fajësuar Guardiolën për lëndimin e ri të mesfushorit Thiago Alcantara, i cili nuk do të luajë në finalen e Kupës së Gjermanisë kundër Dortmundit të shtunën, si dhe Kampionatin botëror në Brazil, raporton Bild.

Muller-Wohlfahrt është i pakënaqur me tretmanin që Guardiola ia bëri futbollistit dhe mendon se trajneri e nguti rikthimin e mesfushorit në stërvitje pas lëndimit të rëndë të gjurit.