BE me mision vëzhgues për zgjedhje
Kërkesa e presidentes Atifete Jahjaga ka mundësi të pranohet nga Brukseli, që BE-ja të dërgojë një mision vëzhguesish për zgjedhjet e 8 qershorit. Ndërkaq, Ambasada amerikane ka vendosur të kiojojë 40 ekipe për vëzhgimin e zgjedhjeve.

Lajme
Burime të “Zërit”, në Këshillin e BE-së, kanë thënë se “kërkesa e presidentes Jahjaga është duke u trajtuar me pozitivitet për të dërguar një mision të ngjashëm më atë të zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar”.
Zyrtari evropian, duke folur në kushte anonimiteti i ka thënë “Zërit” se problemi kryesor qëndron në faktin se zgjedhjet po mbahen shumë shpejt dhe normalisht nuk do të ishte pranuar.
“Sidoqoftë, ne e dimë rëndësinë e mbarëvajtjes së këtij procesi, prandaj kërkesa po trajtohet më shumë në favor të dërgimit të një misioni me vëzhgues në Kosovë”, ka thënë ky zyrtar.
Kërkesa e presidentes Atifete Jahjaga i është dërguar zyrës së Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Catherine Ashton.
Në drejtim të Brukselit po bëhet presion pozitiv prej ministrive të jashtme të vendeve anëtare të BE-së, që patjetër ta miratojë kërkesën e Kosovës për mision vëzhgues.