Bllokohet sërish Rektorati, protestat vazhdojnë

Është dita e tretë që një numër studentësh nisin ditën me protesta. Ata para orës 08:00 të mëngjesit bllokojnë hyrjen e Rektoratit, duke pamundësuar punën në këtë institucion. Duan me çdo kush dorëheqjen e Rektorit, pas skandaleve të fundit në UP.

Lajme

30/01/2014 08:14

Një numër studentësh e kanë hapur edhe sot, ditën e tyre të tretë me radhë, me proteste para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës.

Njëjtë, edhe në ditën e tretë, kanë tri kërkesa. Atë të dorëheqjes së menjëhershme të rektorit aktual Ibrahim Gashit, heqjen e këshillit drejtues të UP’së dhe verifikim të titujve shkencorë.

Pardje, ishte një ditë e vështirë për ta, kur u ballafaquan me policinë dhe njësinë speciale, duke u vënë pranga 27 prej tyre. Dje. ishte kryesisht gjendje e qetë.

Por. çfarë do të ndodhë sot mbetet të shihet.

“Nuk do të ketë reagim nga policia nëse studentët sillen mirë, siç ishin sjellur dje”, është premtimi të cilin e ka marrë me mëngjes njëri nga protestuesit prej kryesuesit të policisë në lidhje me këtë ngjarje.

Valton Marku njëri nga organizatorët, ka thënë se studentët do t’i qëndrojnë prapa kërkesave të tyre deri në shkarkimin e rektorit, dhe plotësimin e kërkesave tjera.

“Sot për herë të tretë jemi mbledhur sot në ora 8 grupi protestues i studentëve, dhe ne i qëndrojmë prapa kërkesave tona që nga fillimi që tashmë kanë marrë njëfarë jehone shumë të madhe. Ne vazhdojmë të jemi të vendosur në kërkesat tona dhe, nuk do të ndalemi deri në shkarkimin dhe plotësimin e kërkesave tona”.

Ndërsa për shkak të angazhimeve, numri më i madh i studenteve s’kanë zbarkuar ende para rektoratit, thotë Marku. Por, dallim mes tyre s’ka, kanë të njëjtin qëllim, shprehet ai.

“Ne jemi studentë të bashkuar dhe ata pritet të vijnë, por ne jemi pak më të vendosur. Ne kemi formën e protestës më të gjatë. Ata për shkak të obligimeve të tyre, vijnë dhe na bashkëngjiten pak më vonë. Por, nuk ka dallim mes nesh dhe tyre, na bashkon i njëjti qëllim dhe e njëjta kauzë”.

Disa zyrtarë të administratës së Rektoratit nuk kanë mundur të hyjnë në rektorat duke u kthyer prapa, pasi studentët nuk i kanë lejuar, duke qëndruar në hyrje të këtij institucioni.

Ndryshe, dje Rektori Ibrahim Gashi, ka hedhur poshtë çdo mundësi të dorëheqjes së tij, duke thënë se me qëndrimin e tij në krye të UP’së do t’i ndihmojë me shumë këtij institucioni.