Borrell: Propozimi franko-gjerman është dorëzuar dje në Serbi dhe sot në Kosovë

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell, ka njoftuar se tani është një moment shumë i rëndësishëm për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë. Gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, Borrell deklaroi se dje në Kosovë dhe në Serbi tashmë është dorëzuar draft i fundit i propozimi të…

Lajme

06/12/2022 11:35

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell, ka njoftuar se tani është një moment shumë i rëndësishëm për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, Borrell deklaroi se dje në Kosovë dhe në Serbi tashmë është dorëzuar draft i fundit i propozimi të Bashkimit Evropian, i njohur ndryshe si propozimi franko-gjerman, transmeton lajmi.net.

Borrell gjatë deklarimit të tij nuk ka dhënë afate sa i përket zhvillimeve në dialogun Kosovë-Serbi.

Përfaqësuesi i BE-së ka kërkuar që të angazhohen nga Kosova dhe Serbia që të angazhohen seriozisht për marrëveshjen e propozuar nga Gjermania dhe Franca.

“Dialogu Prishtinë-Beograd. Ky është një moment i rëndësishëm në lidhje me negociatat Serbi- Kosovë. Marrëveshja për targat ka përfunduar. Palët të angazhohen mirëfilli në dialog me propozimin e hedhur në tryezë me mbështetjen e Gjermanisë e Francës. Teksti i fundit u është dërguar dje dhe janë ata që duhet të nisin diskutimet serioze sepse është një moment ku ka mundësi të madhe. Nuk e ndaj dot përmbajtjen e dokumentit. Është koha për të punuar me shpejtësi”, tha Borrell, teksa u shpreh optimist për një fund të suksesshëm të këtij dialogu.

Borrell ka theksuar se Bashkimi Evropian është tepër i përkushtuar ndaj rajonit, për ta mbështetur financiarisht për përballimin e pasojave të luftës në Ukrainë, për çmimet e energjisë dhe produkteve ushqimore.

Shefi i Politikës së Jashtme i BE-së, JosepH Borrell u ndal edhe tek sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë nga Irani duke thënë se ekspertët e BE janë këtu në Shqipëri dhe do të bëjnë të pamundurën për mbrojtje./Lajmi.net/