Buzhala fton votuesit e PDK-së të mos e votojnë Margarita Kadriun

Berat Buzhala ka ftuar votuesit e PDK-së që të mos e votojnë aderimin e fundit të kësaj partie, Margarita Kadriun. Atij nuk i ka pëlqyer pozita që PDK i ka dhënë Margarita Kadriut, duke e bërë automatikisht nënkryetare, që atij nuk i ishte ofruar kur pati aderuar dhe për më tepër i ishte dhënë numri rendor 130 në listën e kandidatëve për deputetë.

Lajme

15/05/2014 00:31

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Berat Buzhala duket se është xheloz për aderimin e fundit të PDK-së, Margarita Kadriu, e cila u bë edhe nënkryetare e këtij subjekti politik, kurse i është premtuar edhe post ministror nga Hashim Thaçi.

Buzhala ka shkruar në Facebook që Kadriu të mos votohet nga votuesit e PDK-së, përderisa ajo të mos e meritojë pozitën e nënkryetares së kësaj partie.

Edhe pse Buzhala është pajtuar me prurjet në PDK, ai nuk po pajtohet asesi me pozitën si nënkryetare të Maragarita Kadriut.

“Prurje kam qenë edhe unë, e edhe plot të tjerë, e shumë mirë që ka prurje, por jo që të tillat prurje të instalohen me vendim të kryetarit, a zëvendëskryetarit, a kujtdo tjetër, në maje të pozitave partiake”.

Berat Buzhakla e ka shpjeguar pozitën e tij të deritashme në këtë parti, duke thënë se pozita e tij me numër rendor 130, që është votuar nga Këshilli Drejtues i PDK-së, nuk i ka pëlqyer fare.

Por, Buzhala thotë se e ka gëlltitur dhe se kishte vendosur që të luftojë me çfarëdo mjetesh që kishte pasur në dispozicion që ta përmirësojë reputacionin brenda partisë, që për herët e tjera të sigurojë një renditje më të mirë.

Ai ka dhënë disa prej arsyeve të mospajtimit me pozitën që i është dhënë aderimit të Kadriut.

“Unë, ky që jam, gjithashtu kam qenë kryeredaktor gazete. Ndoshta jo aq profesionale sa Kosova Sot – në prerje duarsh të stafit dhe fshehjen e tyre në kanta bërlloku – por megjithatë ka qenë gazetë. Unë, ky që jam, i kam shkruar mijëra shkrime, të mira a të këqija. Në rastin e Margaritës, dorën në zemër, i vetmi shkrim me emër të saj ishte ky e-maili drejtuar Mishkoviqit”, ka shkruar Buzhala.

Buzhala më tutje ka shkruar se Margarita është thjesht një vajze e një biznesmeni të dyshimtë, duke vlerësuar se PDK ka bërë gabimin më të rëndë që e ka pranuar në parti.

Buzhala beson edhe më tutje që fuqia reale, prej nga buron vota për PDK-në, është tek lufta e UÇK-së.

“Sa më shumë që krerët e PDK-së do të provojnë ta anashkalojnë këtë luftë, duke u tunduar prej vlerave urbane të Kadrijajve – Ruzhdi qytetari – aq më shumë do të pësojnë”, ka përfunduar Buzhala në Facebook.