Cafu kujton ‘horrorin’ e vitit 2005

Braziliani Cafu e ka kujtuar ‘horrorin’ të cilin e përjetoi Milani në vitin 2005, kur humbi nga Liverpooli në finale të Ligës së Kampionëve. Ish mbrojtësi i djathtë thotë se Rossoneri ndiheshin të relaksuar pas pjesës së parë dhe më pas gjithçka u doli nga kontrolli.

Sport

11/05/2014 22:43

Marcos Evangelista de Moraes, më mirë i njohur si Cafu, e ka kujtuar tmerrin që e kishte përjetuar Milani në finalen e Ligës së Kampionëve të vitit 2005.

Rossoneri po fitonin 3:0 në pjesën e parë ndaj Liverpoolit, por i pësuan tre gola të shpejtë në pjesën e dytë, për ta humbur krejt lojën, pas ekzekutimit të penalltive.

“Ne nuk po bëheshim arrogantë, por do të gënjeja nëse them se nuk e kishim ndjenjën se ishim shumë afër. Ishte finale e Ligës së Kampionëve, kundër Liverpoolit”, kujton fillimisht ai.

“Ishim 3:0 në epërsi në pjesën e parë dhe është e qartë se ishim më te relaksuar në pjesën e dytë. Mirëpo, ishim paksa të frukësuar, sepse ata shënuan shumë herët”.

“Dhe më pas, goli i dytë ishte edhe më i shpejtë. Kur e pësuam të dytin, tashmë e kishim ndjenjën se do të arrinte i treti”.

“Ky ishte ‘shokimi’ më i madh i në karrierën time. Posaçërisht për shkak të ekipit që kishim. Ai ekip i Milanit nuk duhej të humbte asgjë, asnjëherë”.

“Dy vjet më vonë, në një finale tjetër, sërish ndaj Liverpoolit, ne shënuam të parët dhe thosha: O Zot, ne nuk duhet ta lëshojmë avantazhin këtë radhë. Dhe ne ia dolëm, duke e fituar Championsin”, përfundoi Cafu.