Cameron i bashkohet kampanjës “Bring Back Our Girls”

Kryeministri David Cameron ka premtuar se Britania “do të bëjë ç’është e mundur” për të gjetur më shumë se 200 nxënëset nigeriane të kidnapuara nga grupi “Boko Haram”.

Bota

11/05/2014 17:28

Gjatë një paraqitje të tij, në emisionin e Christiane Amanpour, teksa Cameron u pyet se a do të bëhej pjesë e kampanjës “Na riktheni vajzat tona” (#Bring Back Our Girls), ai u përgjigj “Me kënaqësi”.

Duke folur për BBC, Cameron tha se shteti i tij do të ofrojë gjithë ndihmën e nevojshme shtetit të Nigerisë.

“I kam telefonuar presidentit nigerian dhe i kam ofruar atij ndihmë në çdo formë, dhe ne jemi pajtuar që të dërgojmë një ekip të trupave tanë, të cilat përfshinë edhe specialist kundër terrorizmit dhe ekspert të intelegjencës, në mënyrë që të punojnë së bashku me grupin amerikan që është në Nigeri”.

Në këtë kampanjë është përfshirë edhe zonja e parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Michelle Obama dhe shumë personalitete të tjera.

Kujtojmë se dje, edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga së bashku me disa ish-deputete të Kosovës dhe aktiviste kishin postuar një fotografi me sloganin #Bring Back Our Girls, duke u bërë kështu pjesë e kësaj kauze.