Diskutohet për doganat dhe fondin për Veriun

Grupet Punuese të Kosovës dhe Serbisë diskutuan për zbatimin e marrëveshjes për doganat dhe për fondin për zhvillimin e veriut.

Lajme

07/11/2013 10:45

Në Bruksel është mbajtur takimi i radhës së grupeve punuese për zbatimin e marrëveshjes së doganave ku është biseduar për procesin e zbatimit të kësaj marrëveshje.

Në një komunikatë të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit thuhet se pjesë e diskutimit po ashtu ka qenë edhe përcaktimi i obligimeve sa i përket fillimit të inkasimit të taksave doganore në dy kalimet kufitare në Jarinje dhe Bërnjak.

Gjithashtu  është diskutuar edhe për modalitetet e regjistrimit të kompanive që funksionojnë në pjesën veriore të vendit konform ligjeve të Republikës së Kosovës.

Në këtë takim palët kanë diskutuar edhe për përgatitjet që janë duke u bërë lidhur me fillimin e punës së Fondit për Zhvillim, fond ky i cili do të jetë instrument konkret për të realizuar investimet e nevojshme socio-ekonomike në pjesën veriore të vendit.

Është kërkuar edhe angazhim i të gjitha palëve për të mos krijuar pengesa të cilat do të ishin në kundërshtim me frymën e kësaj marrëveshje por edhe të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dyja vendeve. Takime të kësaj natyre do të ketë edhe në të ardhmen.

Delegacioni i Kosovës përbëhej nga Bajram Rexha dhe Bekim Mehmetaj nga Dogana e Kosovës, Gazmir Raci, këshilltar politik i Zëvendëskryeministres, Edita Tahiri,  Fisnik Rexhepi, këshilltar i ministrit të Punëve të Brendshme si dhe Menderes Ibra, këshilltar politik i ministrit të Financave dhe Visar Xani, këshilltar politik i Zëvendëskryeministres, Edita Tahiri.