Do të dalim forca e parë politike!
Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka vlerësuar se kjo lëvizje është e vetmja alternativë për Kosovën. Ai për partitë që ishin në pushtet ka thënë se janë parë se si e kanë katandisur Kosovën qoftë në nivel lokal apo qendror.

Lajme
Ai ka bërë me dije se qendrat e Lëvizjes Vetëvendosje, i janë nënshtruar ristrukturimit dhe mobilizimit të përgjithshëm, i cili ka sjellë bashkimin e shumë njerëzve që e kanë forcuar organizimin e tyre, shkruan Epoka e Re.
Konjufca ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje, është i vetmi subjekt politik që ka vizion, koncept dhe alternativa qeverisëse për Kosovën.
Derisa partitë e tjera politike, sipas tij, deri më tani kanë qeverisur me vendin pa kompetenca, pa program të qartë dhe me korrupsion marramendës.
Në një intervistë për “Epokën e re” ai ka deklaruar se kohët e fundit kanë mbajtur takime të shumta nëpër të gjitha komunat, duke prezantuar alternativën e tyre qeverisëse.
“Në muajt e fundit kemi mbajtur takime gjithandej, ku kemi shpalosur alternativën tonë qeverisëse, të cilën e kemi publikuar për herë të parë në gusht të vitit 2013”.
Ai ka deklaruar se besimin në fitore e mbështet në ofertën e kësaj lëvizje, e cila, sipas tij, do ta bëjë shtetin dhe ta sigurojë mirëqenien ekonomike.
“Jemi alternativë për Kosovën. Partitë përgjithësisht i kemi parë në qeverisje herë veç e veç herë dy nga dy. Ato kanë qeverisur në mungesë kompetence, pa program të qartë, me korrupsion marramendës, me familjarizim. Mund ta shihni se si e kanë katandisur Kosovën, qoftë në nivel kolak qoftë në atë qendror”, është shprehur ai.