E di se do të fitoj

Agim Çeku shprehet i bindur se do të fitojë. Thotë se fitorja në Prishtinë është e tij dhe e PDK'së. Sipas tij, qytetarët po kërkojnë rend në Kryeqytet dhe këtë ai premton se do ta sjellë.

Lajme

30/10/2013 13:42

Kandidati i PDK’së për Prishtinën, Agim Çeku, me gojën plot “fitore” ka vazhduar takimet “dorë më dorë” me qytetarët në lagjen Tophane.

Çeku edhe një herë u shpreh i bindur se do ta fitojë Prishtinën në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Ai ka thënë se fitorja është e tij.

“E di se do të fitojmë”.

“Sa më shumë po afrohet dita e zgjedhjeve të 3 nëntorit, aq më shumë po na rritet bindja në fitoren tonë, në fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës”.

“Po e shoh që përfundimisht edhe këtu në Prishtinë vota për PDK`në do të jetë votë e fitores”.

“Kështu që, po me inkurajon shumë mbështetja gjithnjë më e madhe që po has në takim dorë më dorë me qytetarët. Në qoftë se në fillim të fushatës kam thënë ndonjëherë besoj në fitore, sot mund të them fitorja është e jona, e di se do të fitojmë”.

“Qytetarët gjithnjë e më shumë po rreshtohen në krah të projektit tonë, në krah të programit tonë, në krah të Partisë Demokratike të Kosovës dhe në krah të një projekti të cilin po e shohin se do t`i zgjidhë të gjitha problemet e qytetarëve, hallet e tyre”.

I pyetur se cilat janë kërkesat më të mëdha gjatë takimeve me qytetarë, Agim Çeku tha se qytetarët po kërkojnë rend.

“Qytetarët kërkojnë rend, të vendoset rendi, rregulli në Prishtinë. E shohin që nuk funksionon as trafiku, as parkingu, as shkolla, as shëndetësia. Pra, qytetarët kërkojnë shërbime të cilësore, shërbime të lehta, të shpejta, që e mundësojnë një jetë të mirë, të lirë, të qetë, në Kryeqytet”.

Çeku ka pohuar se disa probleme mund të tejkalohen me investime shumë të vogla. Sipas tij, nga dita që do ta marrë mandatin, ai do të fillojë t’i realizojë premtimet që ka dhënë.

Ai ka thënë se së bashku me qytetarët do ta ndryshojë përfundimisht pamjen e Prishtinës.