E quajnë Erdoganin “vrasës” dhe “hajdut”

Një protestë e dhunshme ka nisur të mërkurën në qytetin turk Soma, ku të paktën 238 minatorë kanë vdekur nga një shpërthim që ka ngjarë brenda minierës pasditen e së martës.

Bota

14/05/2014 20:15

Si transmeton REL, protestuesit janë mbledhur për ta kundërshtuar vizitën e kryeministrit turk, Recep Tayyip Erdogan, në qytetin ku ndodhi tragjedia.

Raportet bëjnë me dije se protestuesit kanë hedhur gurë dhe e kanë shqelmuar veturën e kryeministrit, duke brohoritur dhe duke e quajtur atë “vrasës” e “hajdut”, ndërsa e kanë kërkuar dorëheqjen e tij.

Protestuesit janë përballur me policinë.

Me qëllim të shpërndarjes së turmës, policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe topa uji.

Erdogan ka njoftuar se numri i personave që janë konfirmuar të vdekur deri më tani ka arritur në 238, derisa edhe 120 minatorë të tjerë besohet se ende janë të ngujuar.

Ai gjatë një konference ka njoftuar se rasti është duke u hetuar.

Incidenti i së martës thuhet se është shkaktuar nga një defekt i energjisë elektrike.

Ministri turk i Energjisë, Taner Yildiz ka thënë se 787 punëtorë kanë qenë nën tokë në kohën e shpërthimit.

Qeveria e Turqisë ka shpallur tri ditë zie për viktimat.