Edhe Gazpromi kërcënon Ukrainën

Gjiganti shtetëror i gazit në Rusi, Gazprom, ka kërcënuar Ukrainën se më 3 qershor mund të ndalë dërgesat e gazit natyror, përveç nëse Kievi zyrtar do t’i paguajë paraprakisht faturat për këtë shërbim.

Bota

13/05/2014 15:51

Shefi i Gazprom, Aleksei Miller, ka thënë se këto masa nuk janë pasojë e tensioneve aktuale mes Rusisë dhe Ukrainës, por sipas tij, do të merren për shkak të borxheve të papaguara që i ka Ukraina.

“Nëse Ukraina nuk i kryen pagesat deri në afatin e paraparë, atëherë ajo do të marrë zero metra kub të gazit natyror”, ka thënë Miller, njofton agjencia ruse e lajmeve Interfax .

Miller, i cili këto komente i bëri pas takimit me kryeministrin rus, Dimitry Medvedev, tha se nëse Ukraina do shërbim me gaz natyror pas datës 3 qershor, atëherë ajo duhet të paguar borxhin paraprak që tejkalon shumën prej 2,5 miliardë eurosh.

Tensionet ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë janë shtuar që prej muajit mars, kur Krimea shpalli pavarësinë dhe vendosi t’i bashkohet Rusisë. Aneksimi i kësaj krahine ukrainase nga Rusia ka nxitur reagime të mëdha në Perëndim, për çfarë SHBA-të dhe BE-ja kanë vënë sanksione, të cilat përditë vijnë e shtohen ndaj Moskës zyrtare.