Enrique vazhdon me mungesat, federata e Spanjës merr vendim për të

18:01 | 17 Maj 2019

Selektori i Spanjës, Luis Enrique, po vazhdon të ketë mbështetjen e federatës spanjolle, edhe përkundër mungesave të tij të vazhdueshme, të cilat janë për arsye familjare.

Rastet urgjente po vazhdojnë ta mbajnë trajnerin larg skuadrës kombëtare, por shefat e tij bëjnë të ditur se nuk kanë në plan zëvendësimin e tij.

Drejtori sportiv i Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF), Jose Molina, ka thënë se Enrique do të jetë në krye të stolit edhe pas mungesave për arsyet familjare.

“Trajneri nuk mund të ishte këtu për të njëjtat arsye që ai u largua nga kampi në Maltë. Ai nuk do të jetë në kamp edhen dy ndeshjet e ardhshme kundër Ishujve Faroe dhe Suedisë” ka thënë Molina në një konferencë për shtyp, transmeton lajmi.net.

“Faleminderit për respektin që keni shfaqur për situatën në të cilët trajneri po kalon. RFEF nuk ka asnjë dilemë mbi Enrique. Shpresojmë ta shohim atë këtu për një kohë të gjatë. Është kohë e vështirë dhe atij i duhet ndihmë dhe vetëbesim” ka thënë ndër të tjerash Molina.

Kujtojmë se ish trajnerit të Barcelonës i ishte dashur që të kthehej tek familja, për një rast emergjent dhe ta linte skuadrën pa trajner në ndeshjen kundër Maltës, të cilën në fund Spanja e fitoi me rezultatin 2:0.

Që atëherë, selektori spanjoll ka pasur vetëm një takim me hierarkinë e RFEF. /Lajmi.net/