Eurodeputetët socialistë të përçarë rreth Nobelit për Thaçin

Deputetë të Parlamentit Europian nga Franca dhe Çekia kundërshtojnë propozimin e kreut të grupit të tyre parlamentar në PE, Hannes Swoboda, që Kryeministri Hashim Thaçi ta marrë Çmimin Nobel për Paqe për këtë vit.

Lajme

03/02/2014 20:14

Drejtuesi i Grupit Parlamentar Socialist është kritikuar sot për propozimin që ka bërë që Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi t’i jepet Çmimi Nobel për Paqe për këtë vit, raporton Eubusiness.

Eurodeputeti socialist austriak, Hannes Swoboda, ka propozuar që bashkë me Thaçin, këtë çmim ta marrin edhe homologu i tij serb, Ivica Dacic dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE’së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton.

Por, eurodeputetët socialistë nga Franca e quajtën këtë propozim si “iniciativë personale”, përderisa edhe ata nga Çekia e quajtën këtë propozim si të papranueshëm.

Shefi i deputetëve socialistë çekë, Richard Falbr, tha se ai personalisht kundershton nominimin për shkak të “së kaluarës më shumë se bizare” të Hashim Thaçit.