Fakulteti i Mjekësisë qe dy vjet ia ruan postin ministrit Ferid Agani

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, qe dy vjet është zgjedhur profesor-asistent në lëndën e psikiatrisë, e cila ligjërohet së fundi e ndarë nga neuropsikiatria në Fakultetin e Mjekësisë të universitetit “Hasan Prishtina”.

Lajme

15/05/2014 09:17

Mirëpo kjo lëndë është duke u mbajtur nga profesorë të tjerë, ndonëse vetë Agani ka deklaruar të jetë i vetmi me titull shkencor për psikiatri, shkruan Koha Ditore.

Madje sado që lënda e psikiatrisë bashkë me neurologjinë janë ligjëruar të ndara deri këtë vit akademik, te procesi i notimit ato kanë figuruar edhe më tutje brenda neuropsikiatrisë, gjë që bie ndesh me rekomandimin e Agjencisë së Akreditimit të vitit 2009, i cili parasheh që secila lëndë të funksionojë e vetme.

Kjo nënkupton që për dy vjet për hatër të ministrit Agani është mbajtur peng zhvillimi i lëndës së psikiatrisë, pasi që deri në përfundim të mandatit e ka pasur postin e ngrirë.

Konkursi dhe vendimi për përzgjedhjen e Aganit është bërë në kohën e ish-rektorit Mujë Rugova, kurse është miratuar nga ish-rektori Ibrahim Gashi, shkruan KD.