Falsifikime të notave në Fakultetin e Mjekësisë

Gjatë muajit mars, në një rast, profesorë të këtij fakulteti kanë përmendur emrin e të njëjtit person me inicialet A.B., familjar i një personi qeveritar, i cili dyshohet për falsifikime notash nëpër indekset e studentëve. 

Lajme

14/05/2014 22:23

Profesoresha e lëndës së Biokimisë në Fakultetin e Mjekësisë, Luljeta Begolli ka paraqitur një rast që asaj i ka ndodhur gjatë muajit mars. Në leltrën e saj, të siguruar nga RTK, thuhet se më 17 mars në ordinancën e saj private i janë paraqitur dy persona, të cilët kanë kërkuar nga ajo që të identifikojë notën dhe nënshkrimin e studentit A.A. nga lënda që ajo ligjëron.

Profesoresha Luljeta Begolli ka thënë se të gjitha i ka shkruar në letrën e saj dorëzuar dekanatit të Fakultetit të Mjekësisë, ku ndër të tjera thuhet:

“Më kërkuan dy persona, për mua të panjohur deri në atë moment. Njëri, i cili u prezantua si Avdyl Buja, dhe tjetri ishte babai i studentit A.A., student i stomatologjisë. Ata nxorën një indeks dhe kërkuan që të identifikojë notën dhe nënshkrimin nga lënda e Biokimisë. Unë ju thash se nuk është vendi e as mënyra e kontrollit të indeksit. E pash që në atë indeks as nota 6 e as nënshkrimi nuk janë të shkruara nga unë, ato ishin të falsifikuara”.

Begolli pastaj sqaron se studenti në fjalë në afatin e shkurtit nuk e kishte dhënë provimin në lëndën e Biokimisë. Madje, në listën me emra të studentëve që iu nënshtruan provimit në atë afat të shkurtit, shihej se studenti A. A. nuk kishte arritur pikët më shumë se 50, sa ishin kërkuar për kalim të provimit. Ai kishte arritur vetëm 33 pikë.

Këtë e konfirmon edhe prodekani për çështje mësimore në Fakultetin e Mjekësisë, Halil Ahmetaj, i cili thotë se kjo formë e presionit të personave jashtë fakultetit për vënie të notave të paligjshme është shqetësuese.

Ndërkaq, në Rektorat thonë se nuk janë në dijeni për një rast të tillë, por, siç thanë, do të interesohen dhe do ta trajtojnë me shumë kujdes.

Në anën tjetër, zyrtarë të Fakultetit të Mjekësisë thonë se sa më shumë që po i luftojnë këto dukuri në këtë institucion të lartë arsimor, ato po lulëzojnë më shumë. Sipas tyre organet përgjegjëse duhet që të marrin masa për të ndaluar persona të tillë që tentojnë ta njollosin imazhin e Universitetit të Prishtinës.