Filloi gjykimi ndaj Milaim Zekës, ai e quan përralë aktakuzën

Milaim Zeka dhe Rrustem Rukolli akuzohen për shkeljen e fshehtësisë dhe procedurës. Zeka akuzohet edhe për tentim të pengimit të procedurës zyrtare. 

Lajme

15/05/2014 20:59

Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ka nisur të enjten gjykimi i tyre.

“E kuptoj aktakuzën por më duket si një përallë, prandaj thash nuk e kuptoj. Dëshiroj të deklarohem absolutisht jo fajtor”, ishin fjalët e gazetarit Milaim Zeka, gjatë seancës së parë gjyqësore ndaj tij dhe Rrustem Rukollit.

Rrustem Rukolli, ndërkaq, është pjesë e ekipit mbrojtës së Sami Lushtakut.

Në seancën e parë, dy të pandehurve u është lexuar aktakuza. Ata akuzohen për shkelje të fshehtësisë dhe procedurës. Milaim Zeka akuzohet edhe për tentim të pengimit të procedurës zyrtare.

“Ndërmjet datës 14 korrik dhe 31 tetor 2031, Milaim Zeka dhe Rrustem Rukolli pa autorizim kanë zbuluar identitetin e dëshmitarit A, i cili ishte nën masa mbrojtëse. Rukolli i dha Zekës informatën lidhur me dëshmitarin A, informatë të cilën ai e pranoi si koordinator i ekipit të Sami Lushtakut në Grupin e Drenicës”, ka thënë Prokurori i EULEX-it, Martin Hackett teksa po lexonte aktakuzën.

Sipas aktakuzës, ata kishin takuar dëshmitarin e mbrojtur në një restaurant në Skënderaj dhe Milaim Zeka kishte tentuar që ta bindë atë që të heqë dorë nga dëshmia dhe tu kërkojë falje atyre që i ka përmendur në dëshminë e tij, raporton KTV.