Flet Florenti, zëri më i mirë i shqiptarëve

Florent Abrashi është njëriu më i përfolur i ditëve të fundit në ‘show-bizin’ shqiptar. Me zërin e tij, këngëtari gjakovar i bëri për vete të gjithë shqiptarët, të cilët në fund e shpërblyen me çmimin e parë në edicionin e tretë të ‘The Voice of Albania’. Rokeri kosovar i la gojëhapur edhe anëtarët e jurisë:…

ShowBiz

27/01/2014 11:05

Florent Abrashi është njëriu më i përfolur i ditëve të fundit në ‘show-bizin’ shqiptar. Me zërin e tij, këngëtari gjakovar i bëri për vete të gjithë shqiptarët, të cilët në fund e shpërblyen me çmimin e parë në edicionin e tretë të ‘The Voice of Albania’.

Rokeri kosovar i la gojëhapur edhe anëtarët e jurisë: mësuesin e tij Sidritin, por edhe Almën, Eltonin dhe Aurelën. Florenti ka folur për eksperiencën e tij në ‘The Voice’, por edhe për planet që ka në të ardhmen, në një intervistë për Lajmi.net.

Lajmi.net: Florent, si e përshkruani pjesëmarrjen dhe eksperiencën tuaj në ‘The Voice of Albania’?

Florent Abrashi: Pjesëmarrja ime në këtë spektakël ka qenë një prej përvojave më të bukura të jetës sime. Aty kam prekur disa aspekte të vetevetes, që nuk kam besuar që do i gjej ndonjëherë.

Ka qenë një eksperiencë e lodhshme prej 17 javësh, por gjithashtu ka qenë e mbushur përplot buzëqeshje, muzikë, shoqëri me njerëz të rinj. Ia ka vlejtur 100%.

Lajmi.net: Keni arritur ta fitoni çmimin e parë! A e keni pritur këtë sukses?

Florent Abrashi: Nuk e kam pritur në asnjë moment. Kam shkuar me shpresat më të vogla, bile e di që i kam lodhur të gjithë ata që kanë qenë përreth meje me pasigurinë time, bile kam mbetur dyshues deri në momentin e fundit. I falënderoj shumë ata që më kanë qëndruar afër dhe që besuan në mua!

Lajmi.net: Çka do të thotë për ty puna disamuajshe me ‘profesorët’ e muzikës, siç ishin anëtarët e jurisë?

Florent Abrashi: Ka qenë një periudhë shumë frytdhënëse, pasi që gjatë gjithë kohës jam munduar  të ‘vjedh’ diçka nga secili prej tyre, pasi që të gjithë janë të veçantë me karakteristikat e tyre skenike.

Por, më së shumti kam fituar nga trajneri Sidriti dhe Asistentja Eltina Minarolli, pasi që të dy kanë qëndruar me ne prej momentit të parë kur jemi takuar, e deri në fund të konkurimit, duke u munduar me mish e me shpirt që ta nxjerrin më të mirën prej nesh.

Lajmi.net: Dihet se ke kënduar edhe para këtij spektakli. Por, a mendon se ‘The Voice’ do ta japë një shtytje në karrierë?

Florent Abrashi: Normalisht që ‘The Voice’ do të jetë një lloj katapulti drejt niveleve më të larta të famës, duke u nisur së pari prej shtrirjes së madhe që ka si spektakël, por gjithashtu edhe prej formës së organizimit që kjo shfaqje ka.

Thjeshtë unë nëpërmjet ‘The Voice’ kam arritur ta përcjell atë punë, emocion dhe dashuri që kam pasur për muziken tek publiku, i cili deri tani nuk më ka njohur.

Lajmi.net: Kur jemi te karriera, a e shihni muzikën si profesion apo si hobi, nëse veç e keni ndonjë profesion tjetër…?

Florent Abrashi: Në jetën time kam kaluar disa faza, ku muzika ka kaluar prej profesionit në hobi si dhe anasjelltas.

Muzika për mua ka filluar si hobi, ndoshta edhe do të përfundojë si hobi, po për momentin kam vendosur ta ushtroj si profesion, duke u munduar ta arrij një nivel më të lartë profesional.

Sa për informatë, une jam student i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, shumë afër diplomimit. Për momentin e kam lënë anash shkollimin dhe jam koncentruar në muzikë.

Lajmi.net: Çka pas ‘The Voice’?

Florent Abrashi: ‘The Voice’ është hapi i parë që e kam ndërmarrë drejt realizimit të ëndrrës sime që është: paraqitja ime në skenat më të mëdha shqiptare.

Tash do të mundohem të krijoj materiale të reja, këngë që i kam përgatitur më herët, por edhe do mundohem të paraqitem sa më shumë me performanca ‘live’ në klube të ndryshme të muzikës.

Lajmi.net: Diçka për fund…

Florent Abrashi: Ju falënderoj që keni gjetur kohë për këtë intervistë, që tregon mbështetjen tuaj ndaj talenteve të reja. Ju falenderoj shumë. Shpresoj të mos jetë e fundit!