Gazetarët kritikojnë kryetaren e AGPK-së, Edona Lluka-Gashi

Komuniteti i gazetarëve po kritikon veprimet e fundit të kryetares së AGPK-së, Liridona Lluka-Gashi, e cila po shfaq hapur preferencat e saj politike. Gazetarët kanë thënë se do të kërkojnë urgjentisht që të organizohet një kuvend i jashtëzakonshëm i AGPK-së.

Lajme

14/05/2014 21:08

Kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve Profesionist të Kosovës, Liridona Lluka-Gashi ka shfaqur pikëpamjet e saj politike për partinë në pushtet.

Që prej kohës kur është zgjedhur në këtë post, ajo ka shprehur pëlqimin e saj për PDK-në.

Gjesti i saj i fundit është edhe komenti në rrjetin social Facebook për aderimin e kryeredaktores së gazetës Kosova Sot, Margarita Kadriu në PDK.

Kolegët e saj gazetarë janë shprehur të indinjuar me veprimin e Lluka-Gashit.

Gazetari i Kohës Ditore, Besnik Krasniqi ka thënë se veprimi i fundit i kryetares së AGPK-së është “kulmi” i abuzimit të pozitës së saj.

“Ajo çka ka deklaruar sot është kulmi i të gjithë abuzimit me detyrën që kjo bën prej se është vënë në këtë funksion dhe gazetarët nuk duhet të tolerojnë këtë situatë. AGPK kursesi nuk duhet të jetë në funksion të ndonjë partie, aq më shumë në këtë fushatë elektorale”.

Edhe gazetari i Tribunës, Zekirja Shabani mendon se Liridona Lluka-Gashi nuk po përfaqëson denjësisht komunitetin gazetarë.

“Ka pas pëlqime të saj në Facebook të zyrtarëve ose përfaqësuesve të ndryshëm politik. Me këto veprime nuk i përfaqëson denjësisht gazetarët”.

Gaztearët kanë thënë se urgjentish duhet të mblidhet komuniteti i gazetarëve për të organizuar kuvend të jashtëzakonshëm të AGPK-së, raportoi KTV.