Gjykata nuk vendos për ankesën rreth Oliver Ivanovic
Avokati i Ivanovic, Nebojsa Vlajic, ka thënë mbrëmë se Gjykata e Apelit ka qenë dashur të dalë me një vendim në pasditen e së premtes pas ankesës rreth masës 30 ditëshe të paraburgimit për liderin politik të serbëve të Veriut të Kosovës.

Lajme
Gjykata e Apelit nuk ka marrë vendim në kërkesën e mbrojtjes së të akuzuarit për krime lufte, Oliver Ivanovic për mbrojtje në liri.
Avokati i Ivanovic, Nebojsa Vlajic, ka thënë mbrëmë se kjo gjykatë ka qenë dashur të dalë me një vendim në pasditen e së premtes pas ankesës rreth masës 30 ditëshe të paraburgimit për liderin politik të serbëve të Veriut të Kosovës, raporton Tanjug.
“Edhe pse afati për vendim ka qenë deri në premten në orën 14, Gjykata e Apelit në Prishtinë nuk më ka njoftuar për ndonjë vendim rreth ankesës sime”, ka thënë Vlajic.
“Trajtimi i menjëhershëm është obligim I gjykatës pasi që kjo do t’i mbronte të drejtat e të paraburgosurit”, është shprehur Vlajic.
Ivanovic është arrestuar të hënën për shkak të dyshimeve se ka marrë pjesë në krime të luftës gjatë vitit 1999 dhe në incidentet e pasluftës, në vitin 2000 në Mitrovicë, përfshirë edhe vrasje të rënda.
Oliver Ivanovic është përsëri kandidat për Kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut në zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen më 23 shkurt.