Haliti e Syla dëshmitar për trafikim të armëve

Xhavit Haliti dhe Azem Syla, do të jenë dëshmitar në rastin e ngritur kundër ish-ushtarit të UÇK-së, Avdi Lleshit.

Lajme

10/05/2014 09:38

Ish-Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ish-deputeti i PDK-së, pritet të dëshmojnë për rolin që ka pasur Avdi Lleshi dhe shtëpia e tij gjatë luftës së UÇK-së, shkruan sot Koha Ditore.

Avdi dhe Riza Lleshi janë arrestuar në fillim të muajit maj me dyshimin se janë të përfshirë në trafikim të armëve.

Dosja e ish-ushtarit të UÇK-së, Avdi Lleshi, baba i 14 fëmijëve nga fshati Kishaj i rrethit të Hasit, i arrestuar ditën e 1 majit me dyshimin për trafik armësh i ka kaluar Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë. Por arrestimi dhe më pas kalimi i dosjes në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ka hasur në indinjatën e veteranëve të UÇK-së, shkruan Koha Ditore.

Ndërkohë që ka regjistruar emrin si dëshmitar në favor të të arrestuarit anëtari i Kryesisë së OVL të UÇK-së, Sokol Poga, gatishmërinë të dëshmojnë e kanë konfirmuar edhe nënkryetari i Kuvendit të saposhpërndarë të Kosovës, Xhavit Haliti, dhe deputeti i PDK-së, Azem Syla. (Koha Ditore)