Hallakamë në KQZ, punonjësit i “privatizojnë” veturat zyrtare

19:30 | 25 Qershor 2019

Zyra Kombëtare e Auditorit ka publikuar të gjeturat për Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve.

Auditori në KQZ ka evidentuar keqpërdorime të mëdha në përdorimin e automjeteve zyrtare, shkruan lajmi.net.

Sipas udhëzuesit administrative me numër 04/2015 për përdorim të automjeteve zyrtare të KQZ-së, përcaktohet mënyra e përdorimit të tyre.

Sipas UA nr.04/2015, neni 2, pika 7, shfrytëzuesi i automjetit duhet ta plotësoj formularin për përdorimin e automjetit dhe pika 8 çdo drejtues i automjetit zyrtar, është i obliguar që në urdhrin për shfrytëzimin e automjetit për punë zyrtare të shënoj, numrin rendor të evidencës, emrin dhe mbiemrin e shfrytëzuesit, kohën e nisjes dhe kthimit, numrin e kilometrave të kaluara të automjetit.

Gjatë testimeve të urdhëresave për shfrytëzimin e automjeteve zyrtare, auditori ka identifikuar se tek automjetet 5Z-003-03, 5Z-004-03, 5Z-005-03 dhe 5Z-006-03, nuk kishte formular të plotësuar për përdorimin e automjetit si dhe në fletudhëtim nuk ishte plotësuar koha e nisjes dhe kthimit, destinimi i udhëtimit, kilometrat e kaluara dhe nënshkrimi nga shfrytëzuesi i automjetit.

Auditori jep vërejtje se  mosrespektimi i procedurave për menaxhimin dhe përdorimin e automjeteve, rrit rrezikun për shfrytëzimin jo racional të tyre dhe e pamundëson monitorimin sistematik të tyre.

Sipas rekomandimit, kryetarja e KQZ-së duhet të rishikoj shkaqet e mosrespektimit të UA nr.4/2015 dhe të siguroj që shfrytëzuesit e automjeteve zyrtare të ju përmbahen udhëzimeve në plotësimin formularëve dhe fletudhëtimeve për çdo udhëtim zyrtar.

Dobësi në menaxhimin e pasurive.

Sipas nenit të 6-të pika 4 të Rregullores së ministrisë së Financave me numër 02/2013 për menaxhimin e pasurisë jo financiare të organizatave buxhetore – Zyrtari Kryesor Administrativ duhet të themelojë regjistër kontabël të pasurive jo financiare ku, përveç informatave të kërkuara nga LMFPP do të përfshihet edhe kategoria dhe zhvlerësimi i vitit të tanishëm dhe ai i akumuluar.

Në sistemin e-pasuria nuk ishte aplikuar fare zhvlerësimi për vitin 2017 dhe 2018.

Kjo është vërejtur gjatë testimit të 11 mostrave, prej tyre gjashtë të vitit 2017 dhe pesë të vitit 2018. Neni 19 i rregullores nr.02/2013, përcakton që komisioni për inventarizimin e pasurisë të hartoj një raport të përgjithshëm mbi inventarizimin e pasurisë dhe të krahasoj gjendjen e inventarizimit me gjendjen në regjistrat e pasurive jo financiare.

Komisioni kishte kryer me kohë inventarizimin, mirëpo nuk kishte harmonizuar gjendjen e inventarizuar me regjistrat e pasurive jo financiare.

Sipas Auditorit, mos aplikimi i zhvlerësimit të pasurisë përmes sistemit e-pasuria ndikon që këto pasuri të jenë të mbivlerësuar dhe se nuk paraqesin gjendjen e saktë të tyre në PFV.

Po ashtu, mos-harmonizimi i regjistrave me gjendjen e dalë nga inventarizimi, pasqyrojnë dobësi në menaxhimin e pasurive.

Auditori në këtë rast rekomandon se kryetarja e KQZ-së duhet të siguroj se në sistemin e-pasuria është bërë zhvlerësimi i pasurisë. Po ashtu, raporti i inventarizimit duhet të krahasohet me gjendjen e regjistrave të pasurisë. /Lajmi.net/