Haradinaj: Mustafa e Thaçi janë të perënduar, njëri i plakur, tjetri i korruptuar

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, të mërkurën ka mbajtur një ligjëratë në Universitetin AAB, në të cilën ka folur për situatën në vend, alternativat dhe rrugën e daljes së vendit nga kriza e krijuar me qeverisjen e keqe. 

Lajme

16/05/2014 14:18

Haradinaj ka thënë se Drejtimi i Ri nuk është vetëm një platformë e thjeshtë, por program i detajuar dhe me objektiva të qarta për nxjerrjen e vendit nga situata dhe kriza në të cilën e ka futur qeverisja e deritashme.

“Thaçi e Mustafa janë liderë të perënduar. Ata më nuk kanë koncepte e as vizion për ta udhëhequr vendin. Platforma Drejtim i Ri, njerëzit e Aleancës dhe plani ynë implementues i kësaj platforme, janë garancë për vendin, për të rinjtë, për studentët dhe për të gjitha kategoritë e shoqërisë”, ka thënë Haradinaj.

Ai, po ashtu, ka thënë se “Isa Mustafa, struktura dhe mentaliteti i tij janë qeveri dhe qeverisje e plakur, kurse Hashim Thaçi e dhe taborri i tij janë të korruptuar dhe të pa vizion për udhëheqje të vendit”.

“Mandati i tretë i tij do të ishte fatal për Kosovën. Edhe sikur të kishim të bëjmë me mirëqeverisje, mandati i tretë i tij do të ishte i dëmshëm për vendin”, ka thënë Haradinaj.

“Më 8 qershor ju studentë do të vendosni se si do të menaxhohet jeta juaj në vazhdim. Kosova bën pjesë në vendet e pasura të botës, por ne prapë se prapë po jetojmë keq, shkaku i keqmenaxhimit të resurseve të vendit nga kjo keqqeverisje. Shkaqet pse nuk duhet të vazhdohet kjo keqqeverisje janë të shumta, por më kryesorja është se kjo qeveri e ka sëmurë Kosovën me kancer e qe, në terma politikë, është korrupsioni”.

“Ne si AAK do të punojmë për zhvillim të gjithëmbarshëm të vendit do të punojmë për të gjithë qytetarët, e jo siç është punuar deri më sot, vetëm në dobi të individëve. Qëllimi im është që efektet e qeverisjes së mirë të mbërrijnë tek të gjithë qytetarët e vendit”, ka thënë Haradinaj.