Hashim Thaçi: UP’në e ka degraduar politika
Kryeministri Hashim Thaçi kërkon verifikim të titujve shkencorë në UP të dyshuar për plagjiaturë. Ai thotë se plagjiatura në këtë universitet ka pasur që nga viti 91 dhe kërkoi nga partitë në Kuvend të dalin me një Rezolutë për verifikimin e titujve shkencorë.

Lajme
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar nga partitë politike në Kuvendin e Kosovës që të dalin me një Rezolutë për verifikimin e titujve shkencorë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Thaçi në një fjalim në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, u shpreh se tituj shkencorë të pa merituar apo me plagjiaturë ka pasur që nga viti 1991.
Ai tha se të gjitha subjektet politike kanë në prezencën e tyre akademikë që kanë marrë tituj duke i falënderuar politikës.
“Nuk është instaluar sot politika në UP. Jemi dëshmitarë që nga viti 1991, edhe në kohën kur jemi pavarësuar si universitet, ka pasur politikë. Ka pasur edhe të atillë që pa fakultet, kanë kryer magjistraturë, pa shkollë fillore kanë kryer fakultet”.
“Titujt shkencorë që nga viti 91, më shumë kanë qenë politike sesa shkencore. Nuk po flas me emra, të gjitha partitë politike e dinë vet. Nëse janë bërë akademikë me plagjiaturë, duhet t’i vijë turp nëse flet këtu. Ata janë nga të gjitha partitë politike”.
“Unë nuk po flas për asnjë parti politike apo person. Ju bëj thirrje që ta bëjnë së bashku të kërkojnë verifikimin e titujve shkencore që nga viti 1991”.
“Në një ndejë personalisht e kam pyetur nnjëri prej akademikëve kryesorë të Kosovës se si po bëhen këta tituj akademikë. Ai u përgjigj se pjesëtarë të partive politike që kanë më shumë vota, po i marrin këto tituj”.
“Prandaj kërkoj nga të gjitha partitë që të kërkojnë me anë të një Rezolute nga Senati i Universitetit të Prishtinës që të bëhet verifikimi i titujve në këtë universitet”, tha Kryeministri Thaçi.