Hoxhaj, ministri i punësimeve të familjarëve dhe bashkëpartiakëve
Lidhja Demokratike e Kosovës ka akuzuar ministrin në largim të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj se ka degraduar diplomacinë kosovare më punësime të jashtëligjshme. LDK, thotë se me ardhjen në pushtet do ti do të shqyrtojë të gjitha vendime.

Lajme
LDK, ka kritikuar ministrin Hoxhaj, se po vazhdon me praktikën e tij të punësimeve dhe gradimeve të paligjshme.
Hoxhaj sipas LDK-së, ka punësuar në diplomacinë kosovare militantë partiak dhe familjarë.
Në një komunikatë për media të kësaj partie thuhet se, shefi i diplomacisë kosovare, nuk ka respektuar vendimet e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, si organ që ka kompetencën ligjore për të rishqyrtuar vendimet e ministrive.
“Keqpërdorimi i shërbimit diplomatik për të shpërblyer militantë partiakë e ka shndërruar MPJ-në, në një dikaster që i shërben partisë, në vend se t’i shërbejë interesave të shtetit”.
“Për më tepër, duke ndjerë humbjen e thellë që do ta pësojë në zgjedhjet e 8 qershorit, ministri në largim, nga frustrimi dhe paniku, po vazhdon me emërimin e militantëve partiakë në poste të ndryshme diplomatike e konsullore pa respektuar kurrfarë kriteri”.
LDK shprehet se me ardhjen në pushtet do të rikthejë ligjshmërinë në këtë dikaster qeveritar.
“Me ardhjen në pushtet, LDK-ja do të shqyrtojë të gjitha vendimet e tilla që kjo Qeveri në largim po i merr pas shkurtimit të mandatit të saj dhe do të kthejë ligjshmërinë në këtë dikaster jetik për një shtet të ri si Kosova”, thuhet në komunikatën e LDK-së.