Hoxhaj ndërron datën e anëtarësimit në OKB

Ministri i Jashtëm në largim, Enver Hoxhaj, ka ndryshuar fjalët sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Lajme

15/05/2014 16:02

Hoxhaj gjatë në një ligjërate të mbajtur para studentëve të Universitetit Publik të Pejës “Haxhi Zeka” për pragmatizmin e politikës së jashtme të Kosovës, ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në OKB do të ndodhë deri në vitin 2020.

Kjo deklaratë (premtim) i Ministrit Hoxhaj, bije ndesh me një deklaratë të bërë jo shumë kohë më parë në një ligjëratë në Universitetin Publik të Prishtinës, Hasan Prishtina.

Ai në këtë ligjëratë pati caktuar një kohë tjetër. Pati thënë se Kosova do të anëtarësohet në OKB për 4 apo 5 vite.

Mirëpo, duke se situata në terren ka ndryshuar, dhe Hoxhaj është dashur t’a zgjas edhe për rreth 2 vjet këtë datë.

Shefi i diplomacisë kosovare, njëherësh edhe nënkryetar i PDK-së, ka thënë se në këto vitet e fundit, Kosova suksesshëm ka kompensuar mungesën e fuqisë së fortë në marrëdhëniet ndërkombëtare përmes fuqisë së butë, duke i sjell vendit njohje, anëtarësim në organizata dhe përparim në integrimin në strukturat euro-atlantike.

Hoxhaj ka thënë se Kosova do ta ketë prioritet përmbylljen dhe njohjen e plotë ndërkombëtare të saj, përfundimin e punëve të mbetura me Serbinë, sigurimin e njohjeve nga pesëshja evropiane dhe anëtarësimin në OKB.

“Kur t’i kemi përfunduar të gjitha punët e mbetura në raport me njohjen, anëtarësimin në organizata dhe në marrëdhënien tonë me Serbinë dhe Evropën Juglindore, synimi i jonë është anëtarësimi në OKB, që do të ndodh deri në vitin 2020. Këtyre ditëve do të paralajmërojmë edhe hapat konkret si e kemi studiuar dhe menduar këtë qasje”, ka thënë Hoxhaj.