Ibra, futbollisti i vitit në Francë

Zlatan Ibrahimovic është zgjedhur futbollisti i vitit në Francë. Sulmuesi suedez ndihet krenar me këtë çmim, ndërsa premton se do të mundohet ta ndihmojë PSG-në në arritjen e objektivave.

Sport

12/05/2014 10:33

Sulmuesi i Paris Saint-Germain, Zlatan Ibrahimovic është zgjedhur futbollisti i vitit në Ligue 1, pas paraqitjeve impresionuese në sezonin 2013-14, duke i lënë prapa bashkëlojtarët Thiago Silva e Thiago Motta, por edhe futbollistin e Monacos, James Rodriguez.

Përfaqësuesi suedez ka realizuar 25 gola nga 32 ndeshje, duke e ndihmuar PSG-në ta fitojë titullin e dytë rresht dhe është i vendosur ta ndihmojë ekipin parisien të fitojë trofe edhe në vitet e ardhshme.

“Për herë të dytë rresht, është një nder i madh. Dua t’i falënderoj lojtarët, trajnerin, stafin dhe tifozët”, deklaroi Ibrahimovic pasi e mori çmimin.

“Mendoj se ky ishte sezoni im më i mirë. Ekipi pati një sezon magjik. Në vitet e ardhshme shpresoj ta fitoj ligën sërish, por edhe dy kupat shtetërore, Ligën e Kampionëve dhe trofe të tjerë individualë”, përfundoi sulmuesi suedez.

Salvatore Sirigu i PSG-së u zgjodh portieri i vitit, përpara atij të Lille, Vincent Enyeama, kurse Marco Verratti ishte lojtari më i mirë i ri i vitit.

Ndërkaq, Rene Girard i Lilles u zgjodh trajneri i vitit.