Ish-deputetët marrin rrogë për 12 muaj, nëse nuk punojnë

Nëse dikush nga 120 ish-deputetët e Kosovës, të legjislaturës së katërt, të cilët u vetshkarkuan më 7 maj, nuk kanë të ardhura për 12 muaj, ai do ta gëzojë pagën e deputetit në lartësi prej 1,488 eurosh. Kjo gjë mund t’i kushtojë buxhetit të Kosovës 2.1 milionë euro.

Lajme

12/05/2014 21:25

Më 7 maj, 120 deputetë të Kuvendit të Kosovës shpërbënë veten. Por kjo gjë nuk do të ju shkaktojë telashe disave prej tyre në aspektin financiar, pasi që ata do të vazhdojnë të paguhen me pagën e deputetit në lartësi prej 1,488 euro edhe për 12 muaj, normalisht nëse nuk kanë të ardhura nga ndonjë punë tjetër.

Këtë privilegj ua jep Ligji për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetëve, raporton Klan Kosova.

Por kjo gjë për Driton Selmanajn nga KDI është një gjë e padrejtë.

“Mendoj që është e padrejtë. Krejt cka do të duhej të bëhej ndoshta do të ishte që niveli i kësaj page të jetë më i ulët, për shembull mund të jetë 50 për qind e pagës së deputetit, derisa ish-deputetët të gjejnë ndonjë punë tjetër”.

Ndërkaq, ish-deputeti, Ardian Gjini thotë se përmes këtij ligji përfaqësueseve të popullit u mundësohet që për 12 muaj të “mbijetojnë” derisa të gjejnë punë.

“Është supozuar që njerëzit të cilët kanë qenë përfaqësues të popullit për katër vite dhe janë nda prej jetës profesionale ose prej jetës së biznesit, që të ju mundësohet që të mbijetojnë për të paktën 12 muaj derisa të kthehen”.

Nëse asnjë prej 120 deputetëve nuk do të gjente punë tjetër, buxheti i Kosovës do të ngarkohej me një shumë prej 2.1 milionë eurove, e gjitha kjo në emër të pagës kalimtare pas përfundimit të mandatit të deputetit.