Ish kreu i Vitisë, Arifi dënohet me kusht, Hajdari me burgim efektiv

Gjykata Themelore në Gjilan ka shpallur aktgjykimin kundër ish kreut të Vitisë, Nexhmedin Arifi dhe Kabil Hajdarit. Derisa i dyti është dënuar me 1 vit burgim me kusht, 1,000 euro gjobë dhe 5 muaj burgim efektiv, ish-kreu i komunës së Vitisë është dënuar me 18 muaj burg me kusht.  

Lajme

15/05/2014 21:17

Trupi gjykues i kryesuar nga Hasan Sadiku, dhe anëtarët, Emine Salihu e Veli Kryeziu të enjten kanë shpallur aktgjykimin në rastin e ish kreut të Vitisë, Nexhmedin Arifi, dhe Kabil Hajdari, raporton rajonipress.

Sipas trupit gjykues, Kabil Hajdari është shpallur fajtor për veprën penale “Korrupsion zyrtar” dhe është dënuar me 1 vit burgim me kusht dhe ky dënim nuk do të ekzekutohet nëse nuk kryen ndonjë vepër tjetër brenda dy vjetëve. Për veprën e dytë, “Shmangie nga tatimi”, Hajdari u dënua me 1,000 euro me gjobë dhe me 5 muaj burgim efektiv.

Nexhmedin Arifi është dënuar me 18 muaj burgim me kusht, dhe ky dënim nuk do të ekzekutohet nëse nuk kryen ndonjë vepër brenda tre vjetëve të ardhshëm.

Arifi e vlerësoi këtë dënim si të porositur dhe me motive politike, duke paralajmëruar se do të ankohet në të gjitha instancat e mundshme ligjore “sepse jam i drejt dhe plotësisht kam punuar në suaza ligjore”.

Edhe Kabil Hajdari tha se ndihet i befasuar nga ky dëni. “Të gjitha ekspertizat kanë treguar se kemi punuar drejt dhe nuk e kam të qartë pse ky dënim”, tha Hajdari për rajonipress.