Jahjaga u nënshkrua në librin e zisë në Ambasadën e Turqisë

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga vizitoi sot ambasadën e Republikës së Turqisë në Prishtinë për të shprehur ngushëllime dhe për tu nënshkruar në librin e zisë me rastin e fatkeqësisë tragjike në një minierë thëngjilli në perëndim të këtij vendi, ku kanë humbur jetën mbi 230 minatorë. 

Lajme

14/05/2014 17:23

Jahjaga u takua me ambasadoren e Turqisë në Kosovë, Songul Ozan, së cilës i shprehu ngushëllime për minatorët që humbën jetën në tragjedinë e shkaktuar nga shpërthimi në një minierë në perëndim të Turqisë.

Gjithashtu, presidentja Jahjaga u nënshkrua në librin e zisë, të hapur në Ambasadën e Turqisë për këtë rast tragjik.

Gjatë ditës Jahjaga i ka dërguar një telegram ngushëllimi homologut të saj turk, Abdullah Gül.

“Në këto moment të dhimbjes dhe pikëllimit në vendin tuaj, dëshiroj të shpreh se ne jemi me ju dhe popullin tuaj në mendimet dhe lutjet tona, me shpresë për një mision të suksesshëm shpëtimi”, ka shkruar ajo në telegram.

Ngushëllime me rasti e kësaj tragjedie të rëndë në Turqi iu kanë dërguar homologëve të tyre edhe zyrtarët e tjerë të lartë kosovarë, sikundër edhe kreu i LDK-së, Isa Mustafa, i cili ka ngushëlluar ambasadoren turke në Prishtinë.