Jakup Krasniqi: Të dihet kush po vazhdon ta spiunojë Kosovën
Jakup Krasniqi thotë deklarimi i tre ish-agjentëve UDB’së se edhe sot në Qeveri, Kuvend dhe në Universitet ka individë që spiunojnë Kosovën tek shërbimi i Serbisë, është shqetësues. Krasniqi tha se duhet ta dimë se kush po spiunon Kosovën dhe qytetarët e saj.

Lajme
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka reaguar sot në Kuvend në lidhje me paraqitjen dhe deklaratat e ish pjesëtarëve të UDB’së, të cilat i ka quajtur shqetësuese.
Krasniqi tha se deklarimi i ish agjentëve të UDB’së se në Kuvend, Qeveri e Universitet ka ende individë që e spiunojnë Kosovën është shumë shqetësues.
“Sigurisht fjalën nuk do ta merrja sikur organet përkatëse që i ka Kosova duke filluar nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare, Komisionet Parlamentare dhe Prokuroria e Kosovës të merreshin me këtë çështje”.
“Unë nuk dua të merrem me histori, por deklarimi i tre ish-agjentëve të sigurimit të shtetit të Jugosllavisë, se edhe sot në Qeverinë e Kosovës, në Kuvendin e Kosovës dhe në Universitetin e Kosovës, ka individë që spiunojnë Kosovën tek shërbimi i Serbisë, për mua është shqetësuese”.
“Është shqetësuese edhe pse në Kosovë nuk e kemi ende ligjin për t’i ndaluar spiunimet ose vënien në shërbim të organeve të ndryshme të sigurimeve të huaja në Kosovë”.
“Por, konsideroj që edhe Komisionet Parlamentare edhe Këshilli për Sigurinë Kombëtare edhe Prokuroria është dashur që t’i marrë ata njerëz dhe t’i pyes, për të ditur se kush janë ata njerëz sot, që edhe pas 15 vjetësh punojnë për një shërbim të huaj, për një shërbim i cili e dimë krejt çfarë ka bërë për 45 vjet apo 50 vjet në Kosovë”.
“Unë mendoj se kjo çështje duhet të merret parasysh. Ata njerëz duhet t’i japin ata emra dhe pastaj edhe Parlamenti edhe opinioni publik në Kosovë duhet ta dijë se kush vërtetë vazhdon ta spiunojë Kosovën dhe qytetarët e saj”.