Katari, nikoqir i gabuar

Presidenti i FIFA-së, Sepp Blatter pranon se vendimi që Katari të jetë nikoqir i Kampionatit botëror 2022, ishte i gabuar.

Sport

16/05/2014 11:35

Presidenti i FIFA-së, Sepp Blatter ka pranuar se vendimi për të shpallur Katarin si nikoqir të Kampionatit botëror 2022 ka qenë i gabuar.

Katari ka telashe të mëdha në organizimin e garës gjatë stinës së zakonshme të verës për shkak të temperaturave të larta, deri në 50 gradë celsius, që mbizotërojnë gjatë asaj periudhe.

Dhe, kjo ka zgjuar thirrje që gara të zhvendoset për në janar, mirëpo atëherë do të ndërpriste kalendarin e futbollit në Evropë.

Krejt kjo tollovi ka detyruar Blatterin të pranojë se shpallja fituese e kandidaturës së Katarit ka qenë vendim i gabuar.

“Sigurisht se ishte një gabim. Por, gjatë jetës ju bëni shumë gabime”, deklaroi Blatter. Mirëpo, zvicerani shpreson se do të gjendet një rrugëdalje për të zgjidhur telashet për mbarëvajtjen e garës.