Katër mësimet e zgjedhjeve të 6 tetorit

12:35 | 10 Tetor 2019

Blerim Shala

Cili ka qenë momenti vendimtar në zgjedhjet e 6 tetorit, që ka përcaktuar rezultatin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

Shkruan: Blerim Shala

Zgjedhjet e 6 tetorit, në tërësinë e tyre, kanë sjellë disa mesazhe kryesore, gjegjësisht, ne të gjithë mund të nxjerrim këto mësime prej tyre.

Së pari, edhe një herë ne mbajtëm zgjedhje të mira, në një atmosferë të tolerancës politike, e cila zatën u vërejt edhe gjatë fushatës. Ashtu si edhe në zgjedhjet e vitit 2014-të dhe 2017-të, rezultatet e zgjedhjeve tashmë janë pranuar prej të gjithë pjesëmarrësve.

Së dyti, tej kësaj përshtypjeje të përgjithshme pozitive politike, edhe kësaj radhe ne u ballafaquam me të njejtat probleme dhe me mungesat teknike. Sërish, në Listat e votuesve pati të vdekur  (nuk është bë pra pastrimi i duhur i Listave), ndërsa për shkak të faktit që në këto Lista tutje figurojnë votuesit që jetojnë jashtë Kosovës, përqindja e daljes në votime vazhdon të jetë nën 50%, ndërsa realisht, është më e madhe.

Për shkak që ende janë në fuqi Listat e hapura zgjedhore, rezultati final i tyre do të dihet tek kah fundi i muajit, gjë që do të zvarritë procesin e krijimit të institucioneve qendrore të Kosovës.

Po të ishte ndryshe, apo, sikur t’i ktheheshim Listave të mbyllura, jo më shumë se dy javë pas zgjedhjeve, ne do të mund ta kishim Kuvendin dhe Qeverinë.

Mbajtja në fuqi e Listave të hapura, siç e dinë të gjithë  (ndërsa askush prej liderëve politikë nuk është i gatshëm të flet për këtë temë), është burim i manipulimesh të gjithëllojshme ‘brenda llojit’, dhe e një lufte politike për mbijetesë.

Kosovës gjithsesi i duhet Reforma zgjedhore, e cila ka ngecë diku në vitin 2012-të.

Nëse Listat e hapura do të mbeten në fuqi, Kosova nuk mund të mbetet një njësi zgjedhore. Do të duhej ndarë vendin në 10-15 njësi zgjedhore, gjë që automatikisht, do ta zëvëndësonte Sistemin a pastër proporcional me atë mazhoritar. Apo, do të mund të bëhej edhe një kombinim në mes të proporcionalit dhe mazhoritarit. Sidoqoftë, edhe fituesi relativ i zgjedhjeve, siç është rasti në Kosovë, me Reformën e Sistemit zgjedhor, do të mund të kishte më shumë deputetë, dhe kjo do ta lehtësonte vetë procesin e krijimit të Qeverisë së re të Kosovës.

Së treti, në zgjedhjet e shtata parlamentare të Kosovës  (që nga viti 2001, kur u mbajtën të parat), pati një garë të madhe për tri vendet e para, si asnjëherë në të kaluarën. Deri kësaj here, ka qenë e paimagjinueshme që një parti apo koalicion të dalë fituese me më pak se 26%. Rëndom, fituesit i janë dashur mbi 30% të votave.

Sidoqoftë, renditja e tri subjekteve të para në këto zgjedhje, dhe fakti që dy të parat në mandatin e kaluar parlamentar kanë qenë në opozitë, ka paralajmëruar qysh në mesnatën e 6 tetorit se cila do të mund të jetë formula për krijimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Së katërti, u kuptua, kur në orët e vona të mbrëmjes së 6 tetorit nisi të zbardhej rezultati i votimeve për Kuvendin e ri, që rishpërndarja e fuqisë dhe përgjegjësisë politikë në vend përmes vullnetit të qytetarëve të tij, nuk ishte shumë e lidhur me kualitetin e fushatës të partive dhe liderëve, as me mënyrën se si u bënë debatet televizive, as me numrin e përkrahësve të mbledhur në tubimet parazgjedhore. Të gjitha këto kanë mundur të ndikojnë në finalen e 6 tetorit, por realisht, shumëçka sa i përket rezultatit të zgjedhjeve, ka të bëjë me një frymë të ndryshimit që mbizotëroi tek qytetarët e rëndomtë. Këta i dhanë një përkrahje dy subjektve opozitare  (në legjislativin e viteve 2017-2019), dhe figurave politike të cilat deri tash nuk janë sprovuar në udhëheqjen me Qeverinë e Kosovës.

Diçka e tillë është goxha normale dhe e pritshme edhe në shtetet me një traditë shumë më të moçme demokratike se sa kjo e jona në Kosovës. Ndodhë pra ngopja me një brez politik, me partitë tradicionale, me politikanët që shumë vite kanë qenë protagonistët kryesorë të skenës politike, dhe kërkohen fytyra dhe subjekte të reja.

Ky ka qenë pra ai momenti vendimtar në zgjedhjet e 6 tetorit, që ka përcaktuar rezultatin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

Nuk duhet pasë farë dije të veçantë politike për të konkluduar që institucionet e reja qendrore të Kosovës do të duhet të dëshmohen brenda një kohe të shkurtër kohore.

Pritjet janë të mëdha, mundësitë janë shumë më të vogëla se sa premtimet parazgjedhore.

(Autori është kolumnist i rregullt i lajmi.net)