Kelmendi i bindur që do të jetë pjesë e qeverisë Thaçi 3

Ramiz Kelmendi, i cili pasi dha dorëheqje në AAK dhe kaloi në PDK, thotë se e ka bërë këtë gjë pasi që kjo parti i ka ofruar hapësirë për implementimin e ideve të tij ekonomike e zhvillimore.

Lajme

13/05/2014 01:03

Në një intervistë për Interaktiv të KTV-së, Kelmendi tha se pas publikimit të dorëheqjes së tij, nga të gjitha partitë ka pasur oferta për t’iu bashkuar.

“Mund të ju them se kur jam tërhequr nga AAK, nuk kam pasur ofertë. Por publikimi i dorëheqjes sime një javë më vonë, interesimi ka qenë i menjëhershëm i të gjitha partive politike”.

“Oferta e PDK-së ka qenë më atraktive, koncepti i pranimit të ideve të mia për zhvillim ekonomik, më ka shtyrë që të bashkohem me PDK”.

“Vet fjala që do të impelemntohen idetë e mia ekonomike, mendoj që me angazhimin tim në PDK, besoj që do ta fitoj atë vend të merituar, në mënyrë që të jem në funksion dhe të kontribuoj për Kosovën, për zhvillimin e saj ekonomik”.

“Më është ofruar hapësirë për realizimin e ideve të mia ekonomike”.

Kelmendi tha se Hashim Thaçi ia ka premtuar postin e ministrit në qeverinë e ardhshme.

“Ma ka premtuar postin e ministrit. Mendoj se do ta kem atë pozitë në mënyrë meritore”.

Biznesmeni Kelmendi pranoi se dorëheqjen nga AAK e ka bërë një javë para se ajo të bëhej publike.

Ai pranon se ka financuar AAK-në 15 vjet. Ai thotë se shumën më të madhe e ka dhënë për lirimin e Ramush Haradinajt nga Haga, gjë për të cilën thotë se do ta bënte sërish me vullnet.

“Ishte një vendim i shpejt, dhe një javë para shpërndarjes së Parlamentit e kam njoftuar Haradinajn që jap dorëheqje të parevokueshme”.

“Në letrën për partinë i kam treguar arsyet e mia. Meqë e përfundova misionin si deputet mendova se do ta gjeja veten më mirë diku tjetër”.

“Unë besoj që largimi im nuk ka qenë shokues, për arsye se është një largim demokratik, është e drejtë e çdo qytetari që të aktivizohet politikisht aty ku të dojë”.

“Zakonisht, si çdo biznesmen, kam marrë pjesë në financimin e fushatave, edhe para se të isha deputet”.

“Shifrat më të mëdha kanë qenë për lirimin e Haradinajt nga Haga dhe kshtu do të veproja edhe tash, do ta ndihmoja sërish, jam shumë i kënaqur që kam pasur mundësinë që ta ndihmoj”.

“Rreth 400 mijë euro vetëm për lirimin nga Haga. Për fushata kanë qenë në kuadër të ligjit, aq sa i lejon ligji për financimin e fushatave”.

“E kam financuar partinë AAK në baza mujore. Munden ne qenë rreth 3 mijë euro në muaj”.

Për komentet e Haradinajt të bërë të hënën, i cili i quajti “dyfytyrësha” ata persona që ndërrojnë parti, Kelmendi nuk pranoi që të deklarohet, duke thënë se asnjëherë nuk do të flasë keq për AAK-në.

“Prandaj nuk ka vend që ta kem këtë epitet, sepse kam dal vullnetarisht nga AAK dhe jam bashkuar vullnetarisht me PDK”.

Le të jetë në përgjegjësinë e tij. Aty unë kam punuar dhe vepruar për 15 vite dhe asnjëherë nuk do të them fjalë të keqe për AAK”, tha Kelmendi për KTV.