Këtë vit fillon ndërtimi i rrugës Deçan- Plavë
Sivjet do të fillojë ndërtimi i rrugës Deçan-Plavë, që lidh Kosovën me Malin e Zi. Ky projekt, sipas Kryetarit të Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, do të kushtojë rreth 40 milionë euro dhe ndërtimi i saj do të zgjas 5 vjet.

Lajme
Këtë vit do të fillojë ndërtimi i rrugës Deçan- Plavë, që lidh Kosovën me Malin e Zi dhe shqiptarët që jetojnë në të dy anët e kufirit.
Kryetari i Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj thotë se ndërtimi i kësaj rruge do të zgjas 5 vjet dhe do të kushtojë në total 40 milionë euro.
Selmanaj deklaroi në Programin e Mëngjesit në RTK, se me këtë rrugë rrafshi i Dukagjinit do të krijoj një trekëndësh, Kosovë-Shqipëri-Mali i Zi dhe kështu do të krijohet një zgjidhje e mirë e komunikimit.
“Projekti më i rëndësishëm për këtë vit do të nis ndërtimi i rrugës nacionale Deçan- Plavë. Edhe pse Qeveria ka ndarë vetëm 400 mijë euro, megjithatë janë mjetet e planifikuara që ky projekt të përfundohet për pesë vite”.
“Edhe vitin e ardhshëm do të investojmë me 400 mijë euro dhe pastaj, viti i katërt 15 milionë dhe viti i pestë 18 milionë. Pra, i gjithë projekti rreth 40 milionë euro”.
“E rëndësishme është që ne do të fillojmë me ndërtimin e rrugës tashmë shumë të përfolur. Jemi angazhuar”.
“Kjo rrugë që shkon në drejtim të Plavës, realisht formohet trekëndëshi Kosovë-Shqipëri- Mali i Zi. Besojmë që edhe Shqipëria do të gjejë formë dhe mundësi që ta lidh këtë trekëndësh të madh”.
“Kjo do të ishte një zgjidhje jashtëzakonisht e mirë e komunikimit. Momentin kur kjo do të ndodhë atëherë pjesa e rrafshit të Dukagjinit do të jetë shumë më afër që nga Plava të shkojë në drejtim të Shkodrës”.